Ballkanin e pret punë më e lehtë në play-off

  • A.P /
  • 18 August 2023 - 21:50
Ballkanin e pret punë më e lehtë në play-off

Kampioni i Kosovës, Ballkani dhe Kampioni i Shqipërisë Partizani, kanë arritur dje ta kalojnë raundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës, me ‘Xhebrailat’ që e ‘shkatërruan’ Lincoln Red Imps, ndërsa skuadra nga kryeqyteti shqiptar e mposhti Valmieran.

Me kalimin e kësaj faze, të dy këto skuadra i pret vetëm edhe një pengesë apo më mirë themi 180 minuta i ndajnë nga grupet e Ligës së Konferencës.

Ballkani do të ketë punë pak më të lehtë, pasi në fazën e fundit kualifikuese do të ketë punë me gjigantin bjellorus me shumë përvojë në gara evropiane Bate Borisov, ndërsa Partizani i Tiranës përballet me kampionin e Kazakistanit Astana.

 

Skuadra nga Bjellorusia e cila përfundoi në vendin e tretë sezonin e kaluar në ligën nacionale, nuk po kalon në formën më të mirë, pasi u eliminua me rezultat të thellë nga kualifikimet për Ligë të Evropës, por sërish përvoja e tyre vjen në shprehje dhe nuk është skuadër për t’u nënvlerësuar, pasi edhe nga Transfermarkt vlerësohet diku afër dyfish më shumë se Ballkani.

Në anën tjetër edhe Astana nuk qëndron keq në përvojën e saj në garat evropiane, pasi kjo skuadër ka marrë pjesë edhe në grupet e Lugës së Kampionëve, ku ka një rekord relativisht të mirë me 12 fitore, 11 barazime dhe 12 humbje, teksa ka luajtur edhe në Ligë të Evropës dhe Ligë të Konferencës. Kampioni i Kazakistanit ka vlerë më shumë se dyfishi i Partizanit të Tiranës.

Ballkani, e cila shkroi historinë vitin e kaluar, si skuadra e parë nga Kosova që merr pjesë në grupet e një gare evropiane, është afër ta arrijë sërish, ndërsa Partizani i Tiranës këtë rrugë e ka të trasuar, pasi kjo rrugë është kaluar në vitet e hershme nga ata, ndërsa edhe Skënderbeu një kohë nga Superiorja kishte arritur në grupet e Ligës së Evropës.

Përballjet e para në mes të, Ballkani – Bate Borisov; Astana – Partizani i Tiranës; zhvillohen të enjten më 24 gusht, ndërsa ndeshjet me kthimit më 31 gusht, aty ku do të vendoset përfundimisht fati i skuadrave shqiptare.

(Kosova Sot Online)