Trajneri i Rumanisë po i frikësohet Kosovës: Do ta kemi edhe më vështirë se ndaj Izraelit

  • S.A /
  • 12 September 2023 - 09:12
Trajneri i Rumanisë po i frikësohet Kosovës: Do ta kemi edhe më vështirë se ndaj Izraelit

Përzgjedhësi i Rumanisë, Edi Iordanescu, thotë se përballja ndaj Kosovës do të jetë edhe më vështirë se ndaj Izraelit, transmeton "Kosova Sot Online". 

“Dardanët” kanë shansin e fundit për t’i mbajtur gjallë shpresat për kualifikim, ku do të jenë mysafir të Rumanisë të martën mbrëma.

Në konferencë për shtyp, Iordanescu ka deklaruar se përballja kundër Kosovës është edhe më e vështirë se ndaj Izraelit. “Do të ketë ndryshime ndaj Kosovës sigurisht, është vështirë të thuhet se sa do të jenë, nuk do ta thosha gjithashtu para lojës”. 

“Është e rëndësishme që të zgjedhë lojtarët që fitojnë duelet, të jenë fizikisht më të fortë. T’iu them sinqerisht po presim një përballje edhe më të vështirë se ndaj Izraelit. Kosova ka lojtarë që luajnë ndeshje pas ndeshje në top ligat dhe vijnë këtu si shans i fundit”. 

“Kosova ka një lojë komplekse, përfshihet në kontakte, në duele pranon përballjet një kundër një. Është skuadër që ka lojtarë me shumë kualitet. Mund t’i shihni në këtë turne se lojtarët mund ta bëjnë ndryshimin në çdo moment”, deklaroi ai. Me një fitore ndaj Rumanisë, Kosova do të shkonte në shtatë pikë që është vetëm dy më pak se rumunët. 

Momentalisht, “Dardanët” renditen në pozitën e katërt në tabelë me katër pikë, pesë më pak se Rumania që është vend i dytë, derisa Izraeli ka tetë sosh.

(Kosova Sot Online )