Zëvendësministrja e sportit e dënon dhunën në finalen e Superkupës, s’e përjashton ndalimin e tifozëve në palestra

  • S.A /
  • 18 September 2023 - 11:31
Zëvendësministrja e sportit e dënon dhunën në finalen e Superkupës, s’e përjashton ndalimin e tifozëve në palestra

Zëvendës-ministrja e Sportit, Daulina Osmani e ka dënuar fuqishëm dhunën e shfaqur mbrëmë në tribuna në finale të Superkupës së Kosovës në basketboll, transmeton "Kosova Sot Online ".

Ajo i konsideroi si të papranueshëm incidentet që ndodhën në Suharekë në ndeshjen Trepça – Peja, me ç’rast u lëndua edhe gazetarja sportive, Ulpiana Emra.

Ndër të tjera, Osmani ka paralajmëruar se njëri prej vendimeve mund të jetë edhe ndalimi i prezencës së tifozëve nëpër palestra për shkak të dhunës që po e shfaqin.

Ata që po i shkaktojnë këto probleme, shton ajo, duhet të japin përgjegjësi pranë organeve të rendit.

Ndeshja mes Trepçës dhe Pejës u ndërpre për një kohë derisa tifozët mitrovicas u larguan nga palestra, ndërsa në fund të takimit, duke dalë nga palestra incidente shkaktuan edhe tifozët e mllefosur dhe të mërzitur pejanë.

Më poshtë mund ta lexoni postimin e zëvendës-ministres së sportit, Daulina Osmani:

Sulmi i sotëm në gazetaren sportive, Ulpiana Emra, është e papranueshme të justifikohet në emër të mbështetjes së ekipeve të zemrës. Gjuha dhe sjellja e urrejtjes nuk duhet të gjejnë vend në sportin tonë.

Federata e Basketbollit të Kosovës duhet të ndërmarr masa të rrepta për parandalimin e përsëritjes së situatave të tilla. Nëse përgjigjja është ndalimi i tifozëve në palestra sportive, atëherë do të obligohemi të ndërmarrim diçka të tillë për këtë sezon të re në basketboll.

Duhet të kuptojmë, se sjelljet e tilla po e dëmtojnë imazhin e sportit si përbrenda vendit, po aq dhe jashtë vendit. Nuk ka asnjë fitues në këtë mes. Ndërsa dëmi është i përbashkët. Për këtë, ata që janë përgjegjës duhet të japin përgjegjësi pranë organeve të rendit.

(Kosova Sot Online )