Ja kush është biznesmeni i fuqishëm që po kërkon të blejë Interin, gati të investojë miliarda euro

  • S.A /
  • 07 November 2023 - 08:21
Ja kush është biznesmeni i fuqishëm  që po kërkon të blejë Interin,  gati të investojë miliarda euro

Thomas Zilliacus (67), një biznesmen finlandez, është i interesuar të blejë Interin dhe është gati të investojë një shumë të madhe parash, transmeton "Kosova Sot Online".

Finlandezi me rezidencë në Singapor njoftoi se ka në dispozicion 2.5 miliardë euro për blerjen e gjigantit italian të futbollit.

Zilliacus pretendon se do të paraqesë një ofertë zyrtare së shpejti dhe paratë i mblodhi falë “investitorëve të ndryshëm, familjeve të vogla dhe të mëdha dhe investitorëve institucionalë”, emrat dhe kombësitë e të cilëve nuk donte t’i zbulonte. “Unë jam serioz, këtë javë ose më së voni javën e ardhshme, pronari aktual i Interit do të marrë një ofertë të duhur për të blerë klubin”, tha Thomas Zilliacus për La Repubblica.

Në negociatat për blerjen e Manchester United ishte përfshirë edhe Thomas Zilliacus, por që blerja në fund nuk u realizua, por tashmë ai ka vendosur të paraqesë ofertë për Interin dhe mund të bëhet shefi i ri i Nerazzurrëve.

Zilliacus është një ish-ekzekutiv i Nokias, i cili thotë se e ka bërë pasurinë e tij në sektorin e teknologjisë në Azi. Ai jeton në Singapor, ku në vitin 1998 themeloi një fond investimi të specializuar në teknologjitë e reja, Mobile FutureWorks (MFW).

Oferta për Interin, sqaron ai, do të bëhet nga kompania XXICenturyCapital, e cila është e vendosur në Singapor dhe është e interesuar për futbollin dhe modën.

Interi , 19 herë kampion i Italisë dhe tre herë fitues i Ligës së Kampionëve, po udhëhiqet nga grupi kinez Suning dhe biznesmeni Steven Zhang që nga viti 2016. Revista Forbes e vlerëson klubin italian në 1.03 miliardë dollarë. Interi është aktualisht lider në Serie A me 28 pikë, dy më shumë se Juventusi.

(Kosova sot Online )