Portieri i Ajaxit me prejardhje nga Kosova: Jam krenar me prejardhjen time

  • S.A /
  • 13 November 2023 - 14:54
Portieri i Ajaxit me prejardhje nga Kosova: Jam krenar me prejardhjen time

Diant Ramaj mund të jetë portieri i së ardhmes i Kombëtares së Kosovës, transmeton "kosova Sot Online ".

Portieri me prejardhje nga Kosova e kompletoi në fundjavë një tjetër ndeshje me Ajaxin në ligën elitare holandeze, “Eredivisie”. 22 vjeçari i ishte bashkuar gjigantit nga Amsterdami gjatë verës që shkoi nga Eintracht Frankfurti për të nënshkruar kontratë afatgjate, më saktësisht deri në vitin 2028.

Deri tash, portieri kosovar, i cili u largua nga Gjermania për shkak të mungesës së hapësirës pasi i zhvilloi vetëm dy ndeshje në Bundesligë, i ka zhvilluar shtatë ndeshje me ekipin holandez. Ai ndihet krenar me prejardhjen e tij ndonëse u rrit në perëndim. “Prindërit e mi u lindën në Kosovë dhe u larguan në drejtim të Gjermanisë për shkak të luftës. Ata lanë prapa gjithçka dhe përfunduan pa asgjë në një shtet të ri. Historia dhe karakteri i tyre më kanë formuar në atë që jam sot”, u shpreh portieri kosovar për mediumin e njohur holandez “De Telegraaf”.

“Gjithmonë e kujtoj se prej nga vij. Si fëmijë nuk kemi pasur shumë kushte. Kemi luajtur futboll me Dijonin, vëllain tim, dhe ishim krejtësisht të lumtur me futbollin e rrugës, bashkë me anëtarët e tjerë të familjes e me shoqëri”, vazhdoi Ramaj. Edhe në mentalitetin e tij, insiston se ka ndikuar prejardhja e tij. “Mendoj se ka të bëjë edhe me të qenit kosovar, sepse njerëzit në Ballkan janë mendërisht shumë të fortë. Jam 22-vjeçar por më vlerësojnë si lojtar me shumë përvojë”, shtoi tutje portieri kosovar. Ndonëse ka luajtur me Gjermaninë U-18, U-19 e U-20, Ramaj e ka në opsion Kosovën në rast se nuk merr ftesë për një kohë nga Kombëtarja A e Gjermanisë. 

(Kosova Sot Online )