Kosovës do t’i shuhen gjasat për kualifikim në Euro 2024 nëse Zvicra e Shaqirit e Xhakës e mposht nesër Izraelin

  • S.A /
  • 14 November 2023 - 10:52
Kosovës do t’i shuhen gjasat për kualifikim në Euro 2024 nëse Zvicra e Shaqirit e Xhakës e mposht nesër Izraelin

Kombëtarja e Kosovës nuk i ka humbur ende matematikisht gjasat për t’u kualifikuar në Euro 2024, pasi “Dardanët” e mposhtën së fundmi Izraelin me rezultat 1:0 në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe mbeten ende me gjasa për të shkuar në Gjermani vitin tjetër, ndonëse ato janë shumë të pakta, transmeton "Kosova Sot Online ".

UEFA e ka bërë një analizë rreth mundësive që i kanë Kombëtaret për të shkuar në Kampionat Evropian.

Në Grupin I, ku bëjnë pjesë Vedat Muriqi me shokë, UEFA e cek faktin se “Kosova nuk do të mundë të përfundojë në njërin prej dy vendeve të para nëse Zvicra e mposht Izraelin”. “Helvetikët” do të përballen nesër mbrëma me izraelitët në ndeshjen që do të zhvillohet në Hungari, ndërsa ky takim ishte paraparë të luhej në muajin tetor, por bash ato ditë nisi lufta mes izraelitëve dhe organizatës Hamas. Natyrisht, edhe Izraeli, i cili e ka një pikë më shumë se Kosova, është ende në lojë për kualifikim, por i duhet t’i mposhtë Zvicrën dhe Rumaninë dhe që Zvicra të mos fitojë kundër Kosovës, nëse dëshiron të shkojë në Euro 2024.

Kosova do të luajë të shtunën me Zvicrën në Basel, kurse të martën tjetër do ta presë Bjellorusinë në Prishtinë, në mbyllje të kampanjës kualifikuese.

(Kosova Sot Online )