Trajneri Gliha ishte përzënë nga Kombëtarja U-21 e Sllovenisë pas “rebelimit” të futbollistëve

  • S.A /
  • 20 November 2023 - 11:48
Trajneri Gliha ishte përzënë nga Kombëtarja U-21 e Sllovenisë pas “rebelimit” të futbollistëve

Ismet Munishi mbrëmë zbuloi fakte tronditëse që lidhen me selektorin aktual të Kosovës, Primoz Gliha.

Trajneri kosovar u shpreh se Gliha ishte përzënë nga Kombëtarja U-21 e Sllovenisë pasi kishte bërë sjellje të turpshme, të pahijshme dhe arrogante, duke u bërë “kërsh” me të gjithë, përfshirë këtu me lojtarët, me gazetarët, por edhe me tifozët kosovarë, transmeton "Kosova sot Online".

Munishi e përmendi edhe sjelljen e tij ndaj Edon Zhegrovës, të cilin e kishte kapur për krahu në ndeshje me Rumaninë në udhëtim, ndërsa e kritikoi sllovenin për akuzat ndaj Zhegrovës, të cilin e quajti së fundmi gënjeshtar. Por, për çka bëhet fjalë konkretisht?

Gazeta sllovene “Sobotainfo” në vitin 2020 e kishte publikuar letrën protestuese të lojtarëve të Sllovenisë U-21, të cilën ia kishin dërguar Federatës Sllovene.

Ajo zbulon fakte tronditëse për trajnerin e Kosovës, i cili në letrën e lojtarëve akuzohet për sulmin dhe rrezikimin e shëndetit të tyre, por edhe për një lloj diktature.

Letra i ishte dërguar drejtorit të Kombëtares, Miran Pavlin dhe sekretarit të Federatës Sllovene të Futbollit, Martin Kozelj, përmes së cilës, lojtarët njoftonin se nuk do ta vishnin më fanellën e Kombëtares së Sllovenisë U-21 përderisa në krye të saj të jetë përzgjedhësi Primoz Gliha.

“Akuzat e ngritura ndaj Glihës janë të rënda, futbollistët e rinj dyshohet se kanë marrë fyerje, ndalime dhe rregulla të çuditshme, si dhe sjellje pa edukatë të trajnerit dhe kërcënime për shëndetin e tyre”, shkruan mediumi “Sobotainfo”.

Ata e akuzuan Glihan se kishte organizuar festë të zhurmshme të shoqëruar me alkool në hotel deri në orët e mëngjesit derisa të pranishëm ishin tre anëtarë që ishin të infektuar me COVID-19, duke e rrezikuar më tej shëndetin e lojtarëve dhe të stafit dhe duke e përhapur potencialisht virusin.

E letra e futbollistëve thuhet se ka ndodhur si rezultat i përjashtimit të sulmuesit të Mariborit dhe të kapitenit të ekipit U-21, Jan Mlakar nga Kombëtarja.

Ndërkohë, futbollisti i kombëtares sllovene, Nik Lorbek në rrjetin social “Instagram” e kishte shprehur mbështetjen e tij për Kombëtaren U-21, duke thënë se “gjëra të ngjashme po ndodhin prej kohësh”.

Gliha ishte përzgjedhës i të rinjve të Sllovenisë nga viti 2015.Mediumi slloven e ka publikuar edhe letrën e dërguar nga futbollistët, të cilët njëzëri e kishin kërkuar largimin e Glihas nga ekipi.

“Për shkak të problemeve afatgjate, ne lojtarët jemi të mendimit të përbashkët se përzgjedhësi i Kombëtares për të rinj, z. Primoz Gliha duhet të ndërrohet. Arsyet janë këto: fyerja në nivel personal pa e respektuar integritetin personal të individit, në shumicën e rasteve pa ndonjë arsye të vërtetë, ne e fillojmë stërvitjen pa u ngrohur, që rrit shanset për lëndime, ne nuk i analizojmë kundërshtarët tanë dhe nuk përgatitemi në mënyrë adekuate për ta, në udhëtime të gjata me aeroplan ose me autobus, lojtarët nuk duhet të flenë dhe duhet të bëjnë ushtrime të ndryshme shtrirjeje, kur shënojmë gola në ndeshje ne nuk duhet veç t’i festojmë ato, ngrohja para lojës miqësore me Italinë (3 shtator 2020) ishte bërë në dhomën e zhveshjes nga Silva Vrhovec, funksioni i së cilit në Kombëtare nuk dihet dhe nuk i sqarohet askujt, para ndeshjes miqësore të 7 shtatorit 2020 kundër Hungarisë, e cila do të luhej në orën 15:00, sipas udhëzimeve të trajnerit, në vend të një dreke normale katër orë e gjysmë para lojës, duhej të hanim muesli dhe kos në orën 10:30, përzgjedhësi urdhëron heqjen e pajisjeve celulare sa herë që dëshiron, gjatë pushimit të pasdites, lojtarët nuk lejohen të shikojnë TV ose të përdorin pajisje inteligjente, pas një orari të caktuar gjumi, lojtarët nuk lejohen të shkojnë TV ose të përdorin pajisje inteligjente pavarësisht nga bioritmi i individit, duhet ta mbajmë derën e dhomës hapur gjatë gjithë ditës, ndonjëherë edhe gjithë natën (kjo na privon nga çdo privatësi), hyrja në dhomë gjatë gjumit me çelës universal (duke e hequr të gjithë privatësinë), ne nuk lejohemi të luajmë lojëra në tavolinë, ose ato lejohen vetëm nëse luhen me para”, shkruan në letrën e futbollistëve të shqetësuar.

Shkak i letrës është bërë rebelimi i të gjithë ekipit, më 5 tetor të vitit 2020.

Ata vendosën të mos ia jepnin më telefonin trajnerit përveç një ditë para lojës, ndërsa ai i akuzonte se nuk po flinin natën duke qëndruar në telefon.

Po ashtu, i mbyllën edhe dyert e dhomave me çelës, derisa kapiteni Jan Mlakar u thirr nga përzgjedhësi, i cili e pati një zënkë me të dhe e përzuri nga Kombëtarja, me arsyetimin se ka përdorur tabletë në orët e vona të natës.

Por, futbollistët nuk e kapërdinë këtë vendim dhe vendimet tjera të trajnerit, në kundërshtim me rregullat e Kombëtares, prandaj bashkërisht u ankuan në Federatë.

“Përderisa Primoz Gliha mbetet në pozitën e përzgjedhësit të Kombëtares sonë, lojtarët e firmosur si më poshtë nuk do të luajnë më për Kombëtaren sllovene të futbollit U-21. Përshëndetje, ekipi slloven i futbollit nën 21 vjeç”, shkruante në fund të letrës së futbollistëve, pas së cilës trajneri Gliha u shkarkua nga pozita e tij.

Pra, në Slloveni selektori i Kosovës njihet për arrogancën dhe dhunën psikike të shfaqur ndaj lojtarëve.

Ai e kishte shfaqur agresivitetin e tij edhe në ndeshjen e muajit shtator kundër Rumanisë, kur e kishte ngrehur për dorë Edon Zhegrovën, i cili nga ajo kohë nuk ka luajtur më për “Dardanët”.

Madje, Gliha së fundmi e quajti edhe gënjeshtar yllin kosovar, ndërkohë që u arsyetua se Federata nuk e ka thirr lojtarin për dy ndeshjet e nëntorit, duke insistuar se ai është veç një punëtor në FFK.

Gjithashtu, deklaratat e trajnerit Gliha kanë qenë skandaloze dhe aspak serioze, në kohën sa është selektor i Kosovës, pozitë të cilën e pasoi nga i shkarkuari Alain Giresse.

Image

(Kosova Sot Online )