Ballkani do t’i nxjerrë sot në shitje biletat e lojës së Ligës së Konferencës

  • S.A /
  • 28 November 2023 - 10:18
Ballkani do t’i nxjerrë sot në shitje biletat e lojës së Ligës së Konferencës

Ballkani do t’i nxjerrë në shitje sot biletat e ndeshjes së Ligës së Konferencës, të cilën do ta zhvillojë të enjten në stadiumin “Air Albania”, transmeton "Kosova Sot Online".

Kampioni kosovar ka njoftuar se biletat do të dalin edhe fizikisht te kioska që gjendet tek hyrja vip e stadiumit “Air Albania” në Tiranë.

Gjithnjë sipas klubit Portokalli, biletat do të jenë në shitje nga ora 11:00 deri në orën 19:00.

Therandasit presin që ta kenë mbështetjen e tifozëve nga tribunat në duel me Viktoria Plzen, i vlefshëm për fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.

Kjo është hera e dytë që ekipi nga Suhareka e bën këtë arritje të jashtëzakonshme duke shkuar deri në këtë fazë.

Ballkani është pjesë e Grupit C ndërsa e sheh veten në vendin e tretë me 4 pikë sa i ka edhe Astana e dyta, me gjasa për t’u kualifikuar në fazën tjetër.

Ndeshja mes Ballkanit dhe lideres së grupit, Viktoria Plzen do të luhet të enjten duke filluar nga ora 18:45.

Shkaku i gjendjes së rënduar në fushës në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, UEFA vendosi që asnjë ndeshje e organizuar nga shtëpia e futbollit evropian, të mos zhvillohet në këtë stadium deri në rregullimin e fushës në këtë stadium.

Me këtë rast, therandasit vendosën që ndeshjen e fundit të fazës së grupeve të Conference League si vendës ta zhvillojnë në “Air Albania” në Tiranë.

(Kosova Sot Online )