Reagon Presidenti Perez: Nga sot klubet do të frymojnë lirshëm, do të vendosin vetë për fatin e tyre

  • S.A /
  • 21 December 2023 - 13:11
Reagon Presidenti Perez: Nga sot klubet do të frymojnë lirshëm, do të vendosin vetë për fatin e tyre

Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian për t’i dhënë të drejt Superligës Evropiane për ta jetësuar këtë projekt të ideuar nga 12 klube të mëdha evropiane.

Në fund, Real Madridi ishte klubi që u rezistoi kërcënimeve të UEFA-s me përjashtim dhe suspendim të klubeve dhe lojtarëve që do t’i bashkoheshin eventualisht kësaj gare, e cila u konsiderua si ilegale nga shtëpia e futbollit evropian, shkruan “Gazeta Express”.

“Nga sot klubet do të jenë pronare të fatit të tyre, do të vendosin vetë. 70 vjet më parë e kemi bërë një hap të madh për futbollin me krijimin e Kupës së Kampionëve dhe tash e kemi për detyrë që ta shtyjmë përpara atë për të cilën futbolli ka nevojë. Ne kemi nevojë për një konkurrencë të hapur për të gjithë, e cila imponon meritë dhe respekt të ‘fair play-financiar’. Mbi të gjitha, që i mbron lojtarët dhe që i emocionon tifozët nga mbarë bota”, u shpreh kreu i “Los Blancos”.

“E kemi mundësinë ta krijojmë një qeverisje transparente, e cila bashkëjeton me teknologjinë e re. Jemi në një fillim të një kohe të re dhe mund të punojmë lirshëm, pa kërcënime, me objektiv për ta çuar përpara dhe për ta përmirësuar futbollin. Nga sot, e tashmja dhe e ardhmja janë më në fund në duart e klubeve dhe të tifozëve. Do ta shënojë një hap përpara dhe një pas, është një ditë e madhe për historinë e futbollit”, përfundoi Perez.

(Kosova Sot Online )