Salah top-shënues dhe top-asistues në Premierligë

  • A.P /
  • 02 January 2024 - 12:39
Salah top-shënues dhe top-asistues në Premierligë

Mohamed Salah është duke e kaluar një formë jetësore.

Ylli egjiptian e ndihmoi mbrëmë Liverpoolin në fitoren ndaj Newcastlet me rezultat 4:2.

Ai fillimisht e humbi penalltinë në pjesën e parë, duke u bërë lojtari i vetëm që dështon 4 herë nga pika e bardhë që nga fillimi i sezonit të kaluar në Premierligë.

Por, pas pjesës së parë 31 vjeçari i ndërroi këpucët sportive dhe kjo i bëri hair pasi në atë të dytë ai ishte i papërmbajtshëm duke i realizuar dy gola dhe duke e bërë një asistim.

Me këtë rast, ish-futbollisti i Baselit, Chelseat, Fiorentinës e Romës arriti në kuotën e 151 golave ne Premierligë me Liverpoolin, duke u bërë vetëm lojtari i pestë që e bën këtë arritje me një klub të vetëm pas Harry Kane (Tottenham), Sergio Agüero (Man City), Wayne Rooney (Man Utd) e Thierry Henry (Arsenal).

Ndërkohë, Salah është golashënuesi më i mirë i Premierligës deri tash në këtë sezon me 14 gola.

Gjithashtu, ai është edhe asistuesi më i mirë aktual i kampionatit anglez me 8 asistime.

Këto statistika impresionuese të tij ia kanë mundësuar ekipit “Reds” ta prijë në tabelën e Premierligës dhe të shkojë me hapa të sigurt drejt titullit të kampionit në Angli.

Liverpooli aktualisht i ka 45 pikë, tri më shumë se Aston Villa, pas 20 ndeshjesh të zhvilluara në ligën elitare angleze. 

(Kosova Sot Online)