Fiorentina dhe Roma në bisedime për një marrëveshje shkëmbimi

  • A.P /
  • 22 January 2024 - 22:00
Fiorentina dhe Roma në bisedime për një marrëveshje shkëmbimi

Drejtori sportiv i Fiorentinas, Daniele Prade, ka hapur bisedimet me Romën për të filluar eksplorimin e një marrëveshjeje të mundshme për Andrea Belottin.

“Violat” kanë mbetur të zhgënjyer nga paraqitjet e M’Bala Nzola, të cilin e transferuan në verë për rreth 12 milionë euro nga Spezia.

Ndërsa, Belotti nuk ka arritur kurrë të gjejë formën e tij me Romën, pasi ka shënuar vetëm 10 gola në 68 ndeshje që nga ardhja e tij 18 muaj më parë. Ai ka startuar vetëm në dy ndeshje në Serie A gjatë dy muajve të fundit, duke pasur probleme kështu edhe me sigurimin e minutave të mjaftueshëm.

Siç raportohet nga “Calciomercato”, Fiorentina ka kontaktuar romakët për të filluar eksplorimin e marrëveshjeve të mundshme për sulmuesin italian, duke propozuar idenë e një shkëmbimi që përfshin Jonathan Ikone ose Josip Brekalo.

Roma ka nevojë për një anësor dhe kjo mund të lejojë që bisedimet të përparojnë.

Skuadra e De Rossit është gjithashtu e interesuar për Cristiano Biraghi, kontrata e të cilit skadon me Fiorentinan në qershor 2025, njësoj si ajo e Belottit me Romën.

(Kosova Sot Online)