Premierliga sjell sot derbin mes Arsenalit dhe Liverpoolit

  • A.P /
  • 04 February 2024 - 10:16
Premierliga sjell sot derbin mes Arsenalit dhe Liverpoolit

Derbi i javë së 23-të në Premierligë do të zhvillohet në veri të Londrës.

Arsenali sot do të jetë nikoqir i Liverpoolit në “Emirates”, me ndeshjen që do të nisë në ora 17:30.

“Topçinjtë” do të hyjnë në këtë ndeshje pas dy fitoreve rresht, teksa renditen në pozitën e tretë në tabelë me 46 pikë – 5 më pak se Liverpooli, që është lider.

Andaj, londinezët me një fitore eventuale do të bënin edhe shumë më interesante garën për titull në Angli, duke marrë parasysh se në garë është edhe Manchester City (46 pikë).

Në anën tjetër, Liverpooli udhëton drejt Londrës me një formë fantastike prej katër fitoreve rresht në kampionat. “Të Kuqtë” nuk njohin humbje këtë vit, pasi kanë fituar dy ndeshjet e tyre edhe në Kupën FA, derisa kanë edhe një barazim.

Siç dihet, skuadra e drejtuar nga Jurgen Klopp ka vetëm një humbje në Premierligë këtë sezon, të pësuar ndaj Tottenham Hotspur në shtator të vitit të kaluar.

Ndeshja e parë e këtij sezoni mes Liverpoolit dhe Arsenalit, e zhvilluar në “Anfield” në dhjetor, ishte mbyllur pa fitues dhe me rezultatin 1:1.

Gjigantët anglezë u takuan në fillim të këtij vitin në Kupën FA, me Liverpoolin që triumfoi si mysafir me rezultatin 0:2. 

(Kosova Sot Online)