Zbulohen emrat e disa legjendave që do të marrin pjesë në “Kupën e re të Botës” mbi 35-vjeç

  • A.P /
  • 05 February 2024 - 20:57
Zbulohen emrat e disa legjendave që do të marrin pjesë në “Kupën e re të Botës” mbi 35-vjeç

Disa nga futbollistët më të mëdhenj të futbollit të të gjitha kohërave do të marrin pjesë në një turne të Kupës së Botës mbi 35 vjeç në Angli këtë verë.

Ish-futbollistët e njohur si Ronaldinho, Thierry Henry e Kaka do të rikthehen sërish në fushën e lojës.

Në fillim të qershorit, një turne me tetë ekipe që përfshin Anglinë, Argjentinën, Brazilin, Francën, Spanjën, Gjermaninë, Italinë dhe Uruguain, do të organizohet nga “Elite Players Group (EPG)”, sipas raportimeve nga “DailyMail”.

“EPG”, një grup ish-futbollistësh dhe biznesmenësh sportivë, janë bashkuar për të krijuar Kupën EPG dhe themeluesit do të shfaqen në këto lojëra të mbushura me yje.

Në fakt, themeluesit do të jenë kapiten i secilit vend, me Steve McManaman që do të drejtojë një ekip të Anglisë me ish-futbollistët e mirënjohur si Michael Owen, Ashley Cole, Joe Cole, Rio Ferdinand, David James, Frank Lampard e Robbie Fowler.

Kapitenët e tjerë janë: Esteban Cambiasso (Argjentinë), Emerson (Brazil), Christian Karembeu (Francë), Kevin Kuranyi (Gjermani), Marco Materazzi (Itali), Michel Salgado (Spanjë) dhe Diego Lugano (Uruguai).

Si rregull, lejohen të marrin pjesë vetëm lojtarët që kanë luajtur për vendin e tyre ose kanë bërë të paktën 100 paraqitje në kampionat elitar.

Pra, kush tjetër do të vishet sërish si futbollist në “EPG Cup” këtë verë?

Sipas raportimeve, skuadra prej 18 lojtarësh e Brazilit do të ketë legjendat si Kaka, Ronaldinho, Roberto Carlos dhe Rivaldo, ndërsa Fabio Cannavaro e Francesco Totti do të jenë te Italia.

Franca pa dyshim se do të jetë një nga favoritët gjithashtu, nëse do të arrijnë të sjellin Thierry Henry dhe Marcel Desailly. Gjermania mund të ngrejë trofeun me një ekip të përbërë nga Mesut Ozil dhe Sami Khedira.

Ndërkohë, Argjentina do të thërrasë Hernan Crespon dhe Pablo Zabaleta për ekipin e tyre, derisa raportohet se David Villa e Carles Puyol do të jenë te Spanja.

Ndeshjet me siguri do të ndryshojnë nga formati shumë i pëlqyer i “Masters Football”. Ato do të jenë me ekip prej 11 lojtarësh gjatë një periudhe 70 minutash, me skuadrat që do të jenë në gjendje të përdorin zëvendësues për të shfrytëzuar numrin e 18 lojtarëve në total.

Pra, kur dhe ku? Vendim për vendin se ku do të organizohet Kupa EPG (EPG Cup) nuk është marrë ende, por është duke u finalizuar sipas “Daily Mail”, me bisedimet që tashmë janë zhvilluar me disa nga klubet më të mëdha veriore të Premierligës.

Ndeshjet çerekfinale janë planifikuar të luhen më 4 dhe 5 qershor, ndërsa gjysmëfinalet më 8 qershor, para finales më 11 qershor. 

(Kosova Sot Online)