Dani Alves pritet të dënohet me 9 vjet burg

  • A.P /
  • 07 February 2024 - 14:03
Dani Alves pritet të dënohet me 9 vjet burg

Dani Alves do ta presë vendimin final të gjykatës në Barcelonë pasi doli para saj tri ditë radhazi, të hënën, të martën dhe të mërkurën, ku folën dëshmitarët dhe iu tregua akuza.

Më saktësisht, ish-futbollisti i Barcelonës, Juventusit dhe Paris Saint-Germainit akuzohet për përdhunimin e një gruaje në një klub nate në Barcelonë në fund të dhjetorit të vitit 2022.

Ish-përfaqësuesi brazilian ka përfunduar në burg qe më shumë se një vit në pritje të vendimit.

Sot do të jetë dita finale e gjykimit të tij, ndërsa Alves i ka hedhur poshtë krejt akuzat që e rëndojnë.


Mediumi britanik “The Athletic” raporton se ish-mbrojtësi i djathtë do ta marrë vendimin final pas 20 ditësh, më saktësisht më 27 shkurt, përcjell “Gazeta Express”.

Gjithnjë sipas këtij mediumi, nëse shpallet fajtor, Alves mund të dënohet me nëntë vjet burg.

Ai kështu do t’i mbante edhe 8 vjet pasi një veçse e ka kaluar.

Gjithashtu, ish-futbollisti brazilian do të duhet t’i paguajë 150 mijë euro si kompensim për viktimën dhe nuk do të lejohet të qëndrojë më afër se 1 kilometër nga ajo.

Sot pritet të jepen detaje rreth gjyqit treditor të Dani Alves. 

 

(Kosova Sot Online)