Babai i Rrahmanit shfaqi flamurin e Kosovës mbrëmë në Rumani, por e largoi pas kërkesës nga zyrtarët e sigurisë

  • E.K /
  • 17 February 2024 - 14:01
Babai i Rrahmanit shfaqi flamurin e Kosovës mbrëmë në Rumani, por e largoi pas kërkesës nga zyrtarët e sigurisë

Albion Rrahmani regjistroi një tjetër paraqitje të shkëlqyer në Rumani, të premten mbrëma.

Sulmuesi kosovar ishte autor i një goli në fitoren 2:0 të Rapid Bukureshtit ndaj Hermannstadt.

Të pranishëm në stadiumin e Rapidit ishin edhe prindërit e Albionit. Madje, babai i tij e festoi golin me flamurin e shtetit të Kosovës.

Edhe sulmuesi shkoi te tribuna ku ishin prindërit e tij për të festuar golin së bashku.

Megjithatë, zyrtarët e sigurisë në stadium reaguan shpejt dhe kërkuan që flamuri të largohet.

Sipas asaj që raporton mediumi rumun, “Digisport”, babai i Albionit u kërkoi falje dhe e hoqi flamurin me shpejtësi.

Të dy prindërit e 23-vjeçarit pastaj shfaqën një pankartë me emrin e Albion Rrahmanit.

Mediumi rumun shkroi se pas kësaj gjithçka shkoi mirë dhe nuk pati ndonjë incident që mund të bënte të eskalonte situata.

Kujtojmë se Rumania nuk e njeh pavarësinë e shtetit të Kosovës. Madje, tifozët nga ky vend shpeshherë kanë shfaqur mesazhe kundër Kosovës.

Një rast i tillë kishte ndodhur edhe vitin e kaluar, në ndeshjen mes Rumanisë dhe Kosovës, të vlefshme për kualifikimet e Kampionatit Evropian “Euro 2024”.

Shkaku i këtij rasti ndeshja ishte ndërprerë për një kohë, për të filluar pastaj pas largimit të parullës skandaloze “Kosova është Serbi”. 

(Kosova Sot Online)