Llapi fiton ndaj Dukagjinit, Malisheva bindëse ndaj Fushë Kosovës

  • A.P /
  • 18 February 2024 - 15:29
Llapi fiton ndaj Dukagjinit, Malisheva bindëse ndaj Fushë Kosovës

Kanë përfunduar dy ndeshjet e sotme të javës së 20-të në Superligën e Kosovës në futboll.

Llapi ka shënuar fitore 2:1 në shtëpi ndaj Dukagjinit, për t’u afruar me pikë me liderin, Ballkanin.

Ishte Muhamet Hyseni që kaloi vendasit në epërsi në minutën e nëntë nga penalltia.

Për këtë penallti, Besir Iseni u ndëshkua direkt me karton të kuq, për shkak të prekjes së topit me dorë në zonën e rreptësisë.

Muhamet Hyseni shënoi edhe njëherë tjetër në minutën e 58-të pas asistit të Arbnor Ramadanit.

Krejt në minutat shtesë, Dukagjini ngushtoi rezultatin në 2:1 nëpërmjet Victor Hugo që shënoi nga penalltia.

Me këtë fitore, Llapi tani shkon në 40 pikë në vendin e dytë, katër më pak se Ballkani që i prin renditjes tabelare.

Në anën tjetër, Dukagjini mbetet në vendin e gjashtë me 27 pikë gjithsej.

Fitore sot shënoi edhe Malisheva, që e mposhti në shtëpi Fushë Kosovën me rezultat bindës 4:1.

Kjo fitore, e ngjit Malishevën në vendin e katërt me 32 pikë, pesë më pak se Drita e vendit të tretë.

Kurse, Fushë Kosova mbetet e parafundit me 11 pikë të grumbulluara. 

(Kosova Sot Online)