Befason Ish-futbollisti i La Ligës dhe i Premierligës, bëhet miliarder dhe konvertohet në Islam

  • S.A /
  • 22 February 2024 - 11:41
Befason Ish-futbollisti i La Ligës dhe i Premierligës, bëhet miliarder dhe konvertohet në Islam

José Ignacio Peleteiro Ramallo e kishte realizuar ëndrrën e tij për të luajtur në La Liga, por më pas edhe në Premierligën angleze. Por, ish-futbollisti spanjoll i vari para kohe këpucët në gozhdë për t’iu përkushtuar biznesit, transmeton "Kosova Sot Online".

32 vjeçari, më mirë i njohur si Jota, në vitin 2022 e kishte hapur kompaninë e teknologjisë bujqësore, Groinn, me të cilën kishte arritur marrëveshje bashkëpunimi me qeverinë spanjolle, ndërkohë që e kishte fituar një projekt prej 750 milionë eurosh.

Derisa e pa veten duke u bërë miliarder falë shumicës së aksioneve që i mban në këtë kompani, Jota e bëri një ndryshim tjetër drastik në jetën e tij, shkruan mediumi spanjoll “As”.

Ish-futbollisti i Celta Vigos, Real Madrid Castillas, Eibarit, Brentfordit, Birmingham Cityt, Aston Villës dhe Alavesit, ka njoftuar se është konvertuar në fenë islame. Ai është mahnitur nga zakonet dhe traditat që i ka mësuar nga miku i tij kuvajtian, Faisal Buresli, ndërsa më pas vendosi të bëhet mysliman. Jota udhëton shpesh në Kuvajt për të bërë biznes atje dhe me vendet përreth. Jota i ka dy fëmijë me ish-bashkëshorten e tij, Jessica Bueno, ndërsa tash është në lidhje me modele me origjinë serbe, Ajla Etemovic, me të cilën jeton në Bask. 

(Kosova Sot Online )