Nagelsmann: Shumë lojtarë nuk do të thirren për 'Euro 2024'

  • A.P /
  • 23 February 2024 - 22:06
Nagelsmann: Shumë lojtarë nuk do të thirren për 'Euro 2024'

Julian Nagelsmann ka konfirmuar se disa lojtarë kyç mund të mbesin jashtë ekipit të Gjermanisë për Kampionatin Evropian “Euro 2024”, pas ai po kërkon të rifreskojë ekipin.

Ish-trajneri i Bayern Munichit kështu u shpreh në një intervistë të dhënë së fundi për “Der Spiegel”, ku foli edhe për gjëra të tjera.

Kur u pyet për moton “Mentaliteti mund talentin”, Nagelsmann tha: “Kjo është arsyeja pse ne po e ndryshojmë skuadrën në krahasim me Kupën e Botës në Katar. Nuk kemi pse të thërrasim dhjetë lojtarë të rinj, por disa lojtarë, për të cilët shumë njerëz mendojnë se do të jenë patjetër, nuk do të thirren”.

Megjithatë, trajneri gjerman nuk dha asnjë informacion se cilët mund të jenë lojtarët, që do të mbesin jashtë “Euro 2024”.

Një nga historitë e mëdha të kësaj jave rreth Kombëtares gjermane ishte rikthimi i Toni Kroos.

Për atë se çfarë do të sjellë mesfushori veteran në skuadër dhe si do të përshtatet, Nagelsmann tha: “Ai do të përshtatet në mënyrë të përkryer në ekipin që kemi në mendje si një lojtar lidhës në mesfushë. Ai do të na bëjë mirë me përvojën e tij. Kroos ka një rol të veçantë në klubin e tij Real Madrid, ai udhëzon lojtarët e rinj dhe u tregon atyre se si mund të punojnë mirë së bashku si pjesë e një ekipi. Toni është një lojtar që do të qëndrojë i qetë dhe do të ruajë qetësinë e tij edhe në një ndeshje të ngushtë të Kampionatit Evropian dhe të cilit mund t’i kalosh gjithmonë presionin. Toni e ka shumë të qartë gjendjen e kombëtares sonë. Me çdo bisedë, ndjeja se ai ishte gjithnjë e më entuziast për të qenë atje në Euro dhe për të na mbështetur”.

36-vjeçari gjithashtu theksoi se Kroos nuk do të ndikojë në hierarkinë aktuale në ekipin kombëtar.

“Kam folur me shumë lojtarë në telefon paraprakisht dhe dëgjova me vëmendje nëse dikush mund të kishte një problem me Kroos. Përkundrazi, të gjithë ishin shumë pozitivë”, deklaroi Nagelsmann.

Në muajin mars Gjermania do të luajë dy ndeshje miqësore, kundër Francës dhe Holandës.

(Kosova Sot Online)