Ja kush ia mësyn Modricit

  • A.P /
  • 29 February 2024 - 17:50
Ja kush ia mësyn Modricit

Luka Modric nuk ka vendosur ende për të ardhmen e tij.

Veterani i mesfushës ishte protagonist i Real Madridit në fundjavën që shkoi duke e shënuar golin e fitores ndaj Sevillës.

Futbollistit kroat do t’i skadojë kontrata me “Los Blancos” në qershor të këtij viti dhe duket se ai po mendon për t’u larguar nga “Santiago Bernabeu”.

Trajneri i madrilenëve, Carlo Ancelotti së fundmi u shpreh se e ardhmja është në duart e futbollistit, por që, nëse dëshiron të qëndrojë, duhet ta pranojë edhe rolin e zëvendësuesit.

Modric do t’i mbushë 39 vjet në muajin shtator dhe për të është koha për të lëvizur.

Spekulohet se nënkampioni i botës me Kroacinë mund të përfundojë në njërin prej klubeve të pasura të Arabisë Saudite për t’i zhvilluar sezonet e fundit të karrierës, por gjithashtu përmendet edhe liga MLS në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

E sot, mediumi turk “Fotomac” raporton se në garë për ish-futbollistin e Tottenhamit janë futur edhe dy gjigantët turq, Galatasaray e Fenerbahçe.

Natyrisht, mundësitë e tyre s’janë të mëdha dhe oferta e tyre është më e ulët (rrogë vjetore 3,5 milionë euro) dhe konkurrenca nga klubet e pasura nga Saudi Pro League është e madhe.

(Kosova Sot Online)