Osimhen dëshiron t’i bashkohet Chelseat

  • A.P /
  • 01 March 2024 - 17:29
Osimhen dëshiron t’i bashkohet Chelseat

John Obi Mikel ka deklaruar se Victor Osimhen dëshiron t’i bashkohet Chelseat për sezonin e ardhshëm.

Sulmuesi nigerian pritet të largohet nga Napoli në afatin kalimtar të verës, teksa Premierliga shihet si destinacioni i tij i ardhshëm.

Në kontratën e tij ka një klauzolë lirimi rreth 120-130 milionë euro.

Përveç Chelseat, për Osimhenin besohet se të interesuar janë edhe Arsenali e Manchester United.

Duke folur në “Web Summit Qatar”, Obi Mikel foli rreth mundësisë që ylli i Napolit të transferohet në “Stamford Bridge”, raporton “Calciomercato”.

“Mendoj se ka interes të vërtetë nga të dyja palët. Jam i bindur që Victor dëshiron të vijë në Chelsea, padyshim që dëshiron të ndjekë gjurmët e mia dhe lojtarët nigerianë që kanë luajtur për Chelsean, si Victor Moses, Celestine Babayaro…”, deklaroi ish-reprezentuesi i Nigerisë.

Ai foli edhe për qytetin e Londrës, duke thënë: “Dhe ka edhe Londrën, një qytet fantastik, nuk ka asnjë krahasim me Liverpoolin apo vende të tilla”.

Së fundi, Obi Mikel diskutoi për klubet e tjera të interesuara për nënshkrimin e Osimhen këtë verë.

“Ai gjithashtu ka shumë klube të interesuara për të, si PSG, Manchester United, por unë po e shtyj, i dërgoj mesazhe, duke u përpjekur të sigurohet që të ketë vetëm një klub në mendjen e tij: Blutë!”, deklaroi John Obi Mikel. 

(Kosova Sot Online)