Ballkani e ruan pozitën e liderit

  • A.P /
  • 10 March 2024 - 15:16
Ballkani e ruan pozitën e liderit

Kanë përfunduar edhe dy ndeshjet e fundit në kuadër të javës së 24-t në Superligën e Kosovës.

Ballkani regjistroi fitore si vendas ndaj Malishevës, për të vazhduar të jetë lider në tabelë edhe pas kësaj jave.

Kampioni në fuqi i Kosovës triumfoi me rezultatin e pastër 2:0, me të dy golat të shënuar në pjesën e dytë. Fillimisht shënoi Nazmi Gripshi (50′), e më pas edhe Mamadou Danfa (71′).

Ballkani pas kësaj fitore ka 51 pikë në krye të tabelës, një më shumë se Llapi, që renditet i dyti.

Malisheva mbetet e katërta me 41 pikë.

Fitore sot regjistroi edhe Feronikeli ’74 në udhëtim ndaj Lirisë. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Përparim Thaçi” përfundoi me rezultatin 0:2.

Edhe në këtë përballje fituesi u përcaktua në pjesën e dytë, teksa vlen të përmendet se në fundin e pjesës së parë portieri i vendasve, Stivi Frashëri, priti penalltinë e ekzekutuar nga Florent Avdyli.

Robert Rrahmani (47′) dhe Ibrahim Cervadiku (73′) realizuan golat e fitores për skuadrën nga Drenasi.

Prizrenasit luajtën me një futbollist më pak nga minuta e 67-të, kur nga loja me karton të kuq u përjashtua Diellor Beseni.

Feronikeli ’74 tani ka 26 pikë dhe renditet i shtati në tabelë. Liria vazhdon të jetë në pozitën e fundit (10) me vetëm 10 pikë të grumbulluara.

(Kosova Sot Online)