I lindur në Gjermani e i rritur në Kosovë, historia dhe rrugëtimi i suksesshëm i Edon Zhegrovës

  • 02 April 2024 - 12:05
I lindur në Gjermani e i rritur në Kosovë, historia dhe rrugëtimi i suksesshëm i Edon Zhegrovës

Edon Zhegrova është duke e kaluar një sezon mjaft të suksesshëm, ndërsa ka hyrë në mendjet dhe në zemrat e tifozëve të Lillet në Francë, transmeton "Kosova Sot Online ".

Për formën e lartë që po e shfaq, faqja zyrtare e Ligue 1 Uber Eats ia ka kushtuar një shkrim “Messit të Kosovës”, duke e përfshirë historinë dhe rrugëtimin e tij.

Dy gola dhe çmimi i lojtarit të ndeshjes. Edon Zhegrova ishte i pandalshëm kundër RC Lens në Derbin e Veriut në fundjavën që shkoi, për t’i ndihmuar “Les Dogues” në fitoren 2:1 ndaj rivalëve lokalë.

Kjo nuk ishte hera e parë që 25 vjeçari, i cili e festoi së fundmi ditëlindjen, ishte vendimtar në ndeshje.

Përfaqësuesi kosovar i ka realizuar 5 gola dhe i ka bërë 5 asistime deri tash në 26 takime.

I lindur në Gjermani, i rritur në Kosovë

Zhegrova ishte lindur në Gjermani, ku prindërit e tij kishin shkuar për t’iu shmangur luftës në Kosovë në vitin 1998.

Më pas, ai me familje ishin kthyer në Kosovë kur Edoni ishte dy vjeç, ndërsa në vendin e prindërve kishte nisur të merrej me futboll.

“Ishin rrugët e Prishtinës ku i riu Edon kishte nisur ta shfaqte talentin e tij të pashtershëm, ndërsa shpejt iu bashkua klubit lokal, ku do t’i shënonte rregullisht nga 5-6 gola për ndeshje. Njerëzit filluan ta vinin re menjëherë. Talentin e tij e zbuloi edhe gjiganti italian, AC Milan”, shkruan “ligue1.com”.

Zhegrova ka folur për rrugëtimin e tij me nostalgji.

“Një ditë në vitin 2012, AC Milan e organizoi një kamp të madh trajnimi në Kosovë. Për një javë, 200 djelmosha të rinj ishin ftuar të bëheshin pjesë e këtyre provave. Unë mora vesh për këtë kamp vetëm në minutat e fundit”, thotë ish-futbollisti i Baselit.

“Trajneri im më dërgoi atje me shpejtësi. Më duhej të vishesha me nxitim ndërsa fëmijët tjerë ishin tashmë në fushë. Është për të qeshur sepse isha regjistruar i fundit në listë, por në fund përfundova i pari përpara krejt pjesëmarrësve. Dhe, këtu ndryshoi gjithçka për mua”, vazhdoi Zhegrova.

Bashkë me disa lojtarë të tjerë, 12 vjeçari i atëhershëm ishte ftuar në vizitë në San Siro për t’i takuar yjet si Kaka e Pato, por edhe për të ushtruar me “Rossonerit” e vegjël.

Në moshën 15 vjeçare, sulmuesi i krahut e kishte marrë rrugën drejt Belgjikës për t’iu bashkuar Standard Lièget e më pas Saint-Trond, tek ekipet e të rinjve.

Katër vjet me asnjë ndeshje garuese zyrtare

Megjithatë, ekzistonte një pengesë në zhvillimin e futbollistit, i cili në fillim ishte regjistruar tek shkolla e futbollit e Flamurtarit.

Mes moshës 15 e 18 vjeç, Edoni kishte zhvilluar veç ndeshje miqësore ose kishte ushtruar për shkak të shtetësisë së tij kosovare (Kosova nuk ishte e pranuar në UEFA e as në FIFA).

Mandatory Credit: Photo by MARTIN DIVISEK/EPA-EFE/Shutterstock (10475548aq) Edon Zhegrova of Kosovo shows his dejection after the UEFA EURO 2020 qualifier soccer match between Czech Republic and Kosovo in Plzen, Czech Republic, 14 November 2019. Czech Republic vs Kosovo, Plzen – 14 Nov 2019

Fati i tij do të ndryshonte kur skautët e Genkut e panë talentin e tij, ndërsa Zhegrova nënshkroi kontratë profesionale me klubin belg kur i mbushi 18 vjet.

Baseli… më pas Lille

I vendosur menjëherë në ekipin e parë, ylli kosovar i zhvilloi 24 ndeshje (përfshirë këtu katër në Europa League) para se të nënshkruante me ekipin zviceran, Basel.

Ai i kaloi më pas tri vjet në Swiss Super League dhe bëri më shumë eksperiencë evropiane, për t’iu bashkuar Lillet në janar të vitit 2022.

Pas një sezoni e gjysmë me “Les Dogues”, 24-vjeçari e ka arritur një tjetër nivel.

“Në çfarë aspekti jam përmirësuar që kur kam ardhur këtu? Fizikisht dhe taktikisht, por edhe në mënyrën e të luajturit më thjeshtë”, ka thënë Zhegrova në një intervistë dhënë faqes zyrtare të Lillet së fundmi.

“Nuk është se unë dua ta ndërroj lojën time apo aftësitë e mia që ta bëj diferencën në situatat një kundër një. Nëse e bëj një driblim, për shembull, është sepse unë e di që mund ta bëj atë. Mirëpo, ajo që ma ka mësuar trajneri është të luaj më thjeshtë, sidomos në zonat e rrezikshme nëse rrezikoj ta humbi topin”, ka përfunduar Zhegrova.

Prishtinasi u rikthye së fundmi edhe në Kombëtaren e Kosovës, ku bëri paraqitje mjaft të mira në miqësoret me Armeninë dhe me Hungarinë në muajin që e lamë pas.

Gjatë verës që po vjen, “Messi i Kosovës” pritet ta bëjë një tjetër hap përpara në karrierë duke u transferuar në një klub më të madh evropian.

(Kosova Sot Online )