
Lojtarët kryesorë duan që të vazhdojnë me Tuchelin

Disa prej lojtarëve kryesorë të Bayern Munichit raportohet se duan që Thomas Tuchel të vazhdojë si trajner i tyre.
Ditëve të fundit gjiganti gjerman ka shqyrtuar idenë e rikthimit të Hansi Flick. Madje, raportohet se ka pasur edhe bisedime, por tani nuk ka zhvillime të reja.
Sipas gazetarit të njohur gjerman, Florian Plettenberg, Flick me shumë gjasa nuk do të jetë trajneri i ri i Bayernit.
Kandidatët e tjerë për pozitën e trajnerit, përfshirë Roberto De Zerbin, vazhdojnë të jenë në listë.
Por, tani ka edhe zhvillime të tjera sa i përket të ardhmes së Tuchelit, i cili më parë kishte njoftuar se do të largohet në fund të sezonit.
Plettenberg zbuloi se shumë lojtarë kyç, përfshirë kapitenin Manuel Neuer, duan të vazhdojnë me 50-vjeçarin.
Ata thuhet se e kanë informuar edhe bordin për këtë.
Kësisoj, mbetet të shihet gjatë verës nëse do të ketë apo jo ndryshime te “Bavarezët” lidhur me pozitën e trajnerit.
(Kosova Sot Online)