Egbo për finalen ndaj Ballkanit: Prishtina shkon për trofeun dhe për Evropën

  • A.P /
  • 21 May 2024 - 19:44
Egbo për finalen ndaj Ballkanit: Prishtina shkon për trofeun dhe për Evropën

Ballkani dhe Prishtina do të përballen mes vete nesër në ndeshjen finale të Kupës së Kosovës.

Kampioni i freskët i Kosovës dhe fituesi aktual i Kupës do ta kërkojnë këtë trofe prestigjioz në ndeshjen që do të luhet në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas.

Therandasit. pasi e fituan titullin e kampionit dhe Superkupën në vitet e fundit, do ta kërkojnë trofeun e parë të Kupës në histori të tyre.

Nga ana tjetër, prishtinasit e shohin këtë lojë si një mundësi ideale dhe jetike për ta siguruar kualifikimin në garat evropiane.

Prandaj edhe finalja e Kupës për ta është për jetë a vdekje.

Prishtinasit synojnë të rikthen në garat evropiane pas dy vjetësh pasi vjet nuk ishin licencuar nga Federata e Futbollit dhe s’mundën të luanin në Evropë.

Para finales, trajneri i Prishtinës, Emmanuel Egbo ka thënë se duan ta mbyllin sezonin me trofe dhe ta sigurojnë vendin në Evropë.

“Finale për të arritur objektivin që është vendosur nga të gjithë, ekipi dhe klubi”.

“Besoj se është finale që duhet ta fitojmë, sepse Prishtina është klubi më i madh në Kosovë dhe nuk mund të ngelë pa e ngritur një trofe në sezon”.

“Është e vetmja rrugë që Prishtina siguron Evropën dhe Prishtina e meriton të jetë në Evropë. Unë jam gjithmonë optimist në çdo betejë, në çdo luftë që futem dua të jem fitimtar”.

“Nesër duam të shohim diçka interesante, të bëjmë mrekullinë, duke besuar në aftësitë tona dhe gjithmonë duke besuar në Hirin e Zotit”, ka thënë trajneri për faqen zyrtare të klubit.

Ndeshja mes Ballkanit dhe Prishtinës do të luhet nesër duke filluar nga ora 15:00. 

(Kosova Sot Online)