Ibrahimovic prezanton projektin e ri

  • A.P /
  • 13 June 2024 - 17:53
Ibrahimovic prezanton projektin e ri

Zlatan Ibrahimovic ka prezantuar projektin e ri të Milanit, duke diskutuar arsyet për emërimin e Paulo Fonsecas në krye të shtabit teknik.

“Rossonerët” po punojnë për ndryshime serioze për sezonin e ri 2024/25, duke u ‘ndarë’ me Stefano Piolin, i cili ishte pjesë e Milanit për pesë vite.

Pasi u rehatua me trajner, klubi tashmë ka nisur punën për transferimin e lojtarëve, derisa aktualisht ka vëmendjen te Joshua Zirkzee i Bolognas.

Në një konferencë për shtyp, Ibrahimovic fillimisht foli për rolin e tij në projektin e ri të Milanit.

“Pas vetëm gjashtë muaj më janë thinjur flokët, kjo do të thotë se po punoj. Pas 20-25 vitesh në futboll, tani kam më shumë liri, më shumë kohë të shpenzoj me fëmijët e mi, të cilët nuk i shihja shpesh shkaku i udhëtimeve të shumta”, tha ai fillimisht.

Ai tutje tregoi se ai u rikthye me kërkesën e Cardinales, i cili ia ofroi mundësinë të jetë partner i “RedBird”.

“Unë i thashë atij ‘Nëse rikthehem te Milani, projekti duhet patjetër të jetë i suksesshëm’. Nuk do ta pranoj humbjen. Dua të fitoj dhe unë gjithmonë fitoj. Cardinale më tha: ‘Mirësevjen’.”, shtoi ai.

“Ibra” foli edhe për rolin e tij në klub.

“Roli im është i thjeshtë. Unë jam partner i ‘RedBird’ dhe unë komunikoj me të gjithë. Nuk është punë e vetëm një personi, por ne jemi një ekip”, tha suedezi.

Tutje, ai komentoi planet e Milanit për merkaton e verës.

“Hapi i radhës është të përforcojmë ekipin. Duam të fitojmë trofe, jo vetëm në Itali, por edhe në Europë. Ambicia është të luftojmë për trofe çdo vit. Milani thjeshtë nuk fiton, por Milani shkruan histori. Të gjithë lojtarët që vijnë duhet ta kuptojnë këtë”, bëri me dije ish-sulmuesi shtatlartë.

Milani sezonin e kaluar përfundoi në vendin e dytë në tabelë, gjersa u eliminua edhe nga Liga e Kampionëve, edhe nga Liga e Evropës.


(Kosova Sot Online)