Dy klubet më të suksesshme në Ligën e Kampionëve përballen sot

  • A.P /
  • 05 November 2024 - 10:12
Dy klubet më të suksesshme në Ligën e Kampionëve përballen sot

Dy klubet më të suksesshme në Ligën e Kampionëve përballen për herë të parë në 14 vite në këtë kompeticion.

Xhiroja e katërt e këtij sezoni në Ligën e Kampionëve i vë përballë dy gjigantët europian, me takimin që luhet në “Santiago Bernabeu”, me fillim nga ora 21:00.

Kampioni aktual i Europës, Real Madridi qëndron mbi Milanin në tabelën e sivjetme të Ligës së Kampionëve, duke arritur dy fitore e një humbje, në tri ndeshjet e para.

Derisa, Milani në tri ndeshje ka 2 humbje nga Liverpooli e Leverkuseni dhe ka një fitore ndaj Club Brugge.

Por, duke lënë anash pak të tashmen, kalojmë te e kaluara.

Në historinë e futbollit europian, Real Madridi e Milani janë përballur 15 herë në garat e Ligës së Kampionëve.

Nga këto përballje, skuadra nga kryeqyteti spanjoll ka në emrin e saj 6 fitore, aq sa ka edhe Milani, derisa tri ndeshje tjera janë mbyllur baras.

Në këto përballje, në gola të shënuar qëndron më mirë skuadra italiane, e cila ka 25 gola të shënuar kundrejt 24 të Real Madridit.

REKORDI I REAL MADRIDIT ME KLUBE ITALIANE

Real Madridi ka një bilanc goxha të mirë me klubet italiane në Ligën e Kampionëve.

“Los Blancos” përgjatë tërë historisë në këtë kompeticion, kanë fituar 46 ndeshje ndaj ekipeve italiane, teksa ka barazuar 11 dhe ka humbur 26 sosh. Reali përgjatë këtyre takimeve ka arritur të shënojë 138 gola, ndërsa ka pësuar 98 të tillë.

Rekord më të mirë ka si vendas ndaj ekipeve nga Gadishulli Apenin. 29 fitore, tri barazime dhe vetëm 7 humbje në “Santiago Bernabeu”.

Reali më herët gjatë këtij sezoni ka luajtur me një klub italian, duke e mposhtur Atalantën në finalen e Superkupës së Europës me shifrat prej 2-0.

Ajo ishte fitorja e 11-të me radhë ndaj klubeve nga Italia, derisa ka 17 fitore në 18 ndeshjet e fundit ndaj klubeve të këtij shteti.

REKORDI I MILANIT ME KLUBE SPANJOLLE

Më shumë humbje se fitore. Ky është bilanci i gjigantit italian me klubet spanjolle në Ligën e Kampionëve.

19 fitore, 14 barazime dhe 26 humbje, duke shënuar 78 gola e duke pësuar 88 sosh në duele me klubet nga Spanja.

“Rossonerët” ishin në një grup me Atletico Madridin në sezonin 2021/22, duke arritur një fitore kolosale në Madrid ndaj ekipit të Diego Simeones. Kjo fitore përmbyllte një fazë të errët të Milanit me klube spanjolle, pasi kishte tetë ndeshje pa fitore (2 barazime e gjashtë humbje).

LIDHJET E PËRBASHKËTA MES KLUBEVE

Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti ishte lojtar i AC Milan nga viti 1987 deri më 1992 dhe trajner nga viti 2001 deri më 2009.

Ai e fitoi Ligën e Kampionëve (atëherë e njohur si Kupa Europiane) si lojtar me Milanin më 1989 dhe 1990, duke ia shtuar kësaj edhe 2 tituj të Serie A.

Si trajner, Ancelotti po ashtu e ka fituar këtë kompeticion dy herë me Milanin, më 2003 dhe 2007, teksa më 2005 ishte mposhtur në finale nga Liverpooli.

Ancelotti është përballur 15 herë me Milanin si trajner (5 fitore, 7 barazime e 3 humbje), por asnjëherë në Ligën e Kampionëve.

TË GJITHË LOJTARËT QË KANË LUAJTUR PËR DY KLUBET

Përveç që kanë qenë kundërshtarë të mëdhenj në futbollin europian, Real Madridi dhe AC Milan kanë edhe marrëdhënie të shkëlqyeshme mes vete.

Të paktën 20 lojtarë kanë luajtur për dy klubet, përfshirë këtu edhe futbollin e vajzave, e që në këtë listë hyn edhe Kosovare Asllani.

Së fundmi, si ish-lojtar i Real Madridit, është Alvaro Morata që i është bashkuar klubit të Milanit.

Kosovare Asllani, David Beckham, Antonio Cassano, Julio Cesar, Brahim Diaz, Emerson, Michael Essien, Pablo Garcia, Theo Hernandez, Gonzalo Higuain, Klaas Jan-Huntelaar, Luka Jovic, Kaka, Diego Lopez, Alvaro Morata, Christian Panucci, Fernando Redondo, Robinho, Ronaldo, Clarence Seddorf – janë të gjithë futbollistët/et që kanë luajtur për dy gjigantët e futbollit europian.

(Kosova Sot Online)