Gati kontrata e re për Messin
Lionel Messi e ka gjetur rehatinë në Inter Miami, së cilit iu bashkua pasi e mbylli eksperiencën evropiane.
Ylli argjentinas iu bashkua ekipit amerikan në verën e vitit të kaluar për t’u larguar nga Paris Saint-Germaini, ku kishte shkuar si lojtar i lirë nga Barcelona.
Tetë herë fituesi i Topit të Artë ka kontratë me klubin nga liga MLS deri në fund të vitit 2025.
Mirëpo, klubi nga Florida po punon për ta mbajtur më gjatë kampionin e botës në vendin bregdetar.
Sipas mediumit “Tyc Sports”, ideja e David Beckhamit me bashkëpronarë është që t’ia propozojnë Messit vazhdimin e kontratës për një vit, pra deri në vitin 2026.
Messi s’ka vendosur ende nëse do ta vazhdojë eksperiencën amerikane, ndërsa në mendjen e tij është mbi të gjitha pjesëmarrja në Kupën e Botës 2026.
E duke e pasur parasysh që kjo garë do të mbahet pikërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bashkë me Kanada e Meksikë, për Messin do të ishte ideale që të vazhdojë të luajë në Amerikë për të qenë afër dhe i ambientuar me vendin kur të nisë Botërori.
Prej shumëkujt, Messi konsiderohet si futbollisti më i mirë i të gjitha kohëve.
(Kosova Sot Online)