
Flick: Araujo është lojtar i Barçës

Hans-Dieter Flick, trajner i Barcelonës, ka folur sot në konferencë për shtyp para ndeshjes së Copa del Rey kundër Betis Sevillës, duke e nisur pikërisht me njërën prej temave më të nxehta të “Blaugrana”, më saktësisht për të ardhmen e Ronald Araujos, i cili spekulohet se në këtë muaj mund të përfundojë në Juventus.
“Kur flas me lojtarët, ajo që i themi mbetet mes nesh. Ai është një lojtar i yni. Jemi të dëshpëruar me lëndimin e Inigo Martinezit, është një lider, por jemi të kënaqur që u rikthye Ronald. Kjo u pa kundër Real Madridit, ajo është ajo që e pret nga ai sepse është një mbrojtës i shkëlqyer dhe të dielën e demonstroi këtë”, u shpreh trajneri gjerman.
Problemi fizik i Inigo Martinez mund ta komplikojë në fakt largimin e Ronald Araujos, duke e pasur parasysh se tash katalunasit e kanë një mbrojtës më pak për ndeshjet e ardhshme.
Përfaqësuesi uruguaian u rikthye së fundmi nga lëndimi dhe është i gatshëm për ta ndihmuar ekipin “Blaugrana”, ndërsa Juventusi ndërkohë është në pritje.
Edhe presidenti Joan Laporta sot tha se e pëlqen tej mase si lojtar dhe si djalosh Araujon, të cilin shpreson që do ta ketë në ekip për një kohë të gjatë.
(Kosova Sot Online)