Ben Foster zbulon detaje mbi faqen ku mund të hyjnë atletë vetëm si Cristiano Ronaldo

  • A.P /
  • 15 February 2025 - 09:40
Ben Foster zbulon detaje mbi faqen ku mund të hyjnë atletë vetëm si Cristiano Ronaldo

Ish-portieri i Manchester United dhe kombëtares angleze, Ben Foster, ka zbuluar se atletët e Nike, si Cristiano Ronaldo, kanë akses në një faqe sekrete ekskluzive, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Foster, 41 vjeç, u tërhoq nga futbolli profesionist në 2023, pasi luajti për klube si Manchester United, Watford, Birmingham City, West Bromwich Albion dhe Wrexham. Ai fillimisht u pensionua në 2022, por më pas u rikthye te Wrexham për një periudhë të shkurtër emocionale.

Në nivel ndërkombëtar, Foster u aktivizua tetë herë me Anglinë. Në vitet e fundit, ai ka treguar histori nga karriera e tij përmes podcast-it të tij, ‘The Fozcast’.

Foster flet për faqen ‘sekrete’ të Nike

Vitin e kaluar, Foster u pyet për marrëdhënien e tij me markën sportive Nike gjatë karrierës së tij. Ai tregoi për një faqe të fshehtë, ku mund të hyjnë vetëm atletët e Nike përmes një llogarie të personalizuar dhe një fjalëkalimi të veçantë.

“Të gjithë atletët e Nike kanë një përfaqësues. Zakonisht është dikush që kujdeset për klubin dhe vjen një herë në muaj ose kur ka modele të reja. Ai u tregon lojtarëve të Nike modelet më të fundit të këpucëve dhe i pyet nëse kanë nevojë për diçka.”

“Ekziston një faqe sekrete për atletët e Nike, ku ata kanë një llogari dhe një fjalëkalim. Mund të hyjnë dhe të porosisin çfarë të duan”, vazhdoi ai.

“Të gjithë kanë një llogari të kreditit, ku kanë të depozituar një shumë të caktuar parash, dhe mund të zgjedhin produktet që dëshirojnë. Sinqerisht, është diçka shumë e bukur”.

Në vitet e fundit, yje si Cristiano Ronaldo, Vinicius Jr, Rodri, Lauren James, Leah Williamson dhe Marcus Rashford janë parë duke mbajtur këpucë Nike.

Legjenda portugeze Cristiano Ronaldo ka një kontratë me Nike që nga viti 2016 dhe mbetet një nga atletët më të rëndësishëm të markës. 


(Kosova Sot Online)