
Probleme për Bayernin, Davies e humb sezonin

Bayern Munich do të duhet të përballet pa Alphonso Davies në fazën vendimtare të sezonit. Mbrojtësi i majtë pësoi një këputje të ligamentit të kryqëzuar gjatë një ndeshjeje me kombëtaren kanadeze, ndërsa Dayot Upamecano është lënduar po ashtu në gjurin e tij të majtë.
Davies pritet t’i nënshtrohet një operacioni të mërkurën dhe do të mungojë të paktën gjashtë muaj. Ndërkohë, sipas klubit bavarez, Upamecano nuk do të jetë i disponueshëm për “disa javë”.
Kjo do të thotë se të dy lojtarët do të mungojnë për sfidën e Ligës së Kampionëve kundër Interit për momentin.
“Fatkeqësisht, gjatë pauzave ndërkombëtare ekziston gjithmonë rreziku që lojtarët të kthehen të dëmtuar – këtë herë na ka goditur veçanërisht fort,” tha drejtori sportiv i Bayernit, Max Eberl, në një deklaratë.
“Mungesat e Alphonso Davies dhe Dayot Upamecano janë një goditje e rëndë për Bayern-in. Phonzy do të ketë gjithë mbështetjen e nevojshme për t’u rikuperuar. Po ashtu, do ta ndjekim nga afër Upa-n në javët e ardhshme dhe besojmë se do të rikthehet së shpejti. Skuadra jonë është e fortë dhe do të kompensojë këto mungesa,” shtoi Eberl.
Davies u dëmtua herët në ndeshjen për vendin e tretë në CONCACAF Nations League kundër SHBA-së, duke mbajtur gjurin e tij të djathtë. Ai u zëvendësua në minutën e 12-të dhe u kthye në pankinë pas një trajtimi të shkurtër me akull në gju.
CEO i Bayernit, Jan-Christian Dreesen, fillimisht kishte dhënë sinjale pozitive pas marrjes së feedback-ut nga Kanadaja. Megjithatë, pas kthimit në Munich, Davies iu nënshtrua ekzaminimeve të hollësishme dhe u konfirmua diagnoza.
Nga ana tjetër, Upamecano ishte aktiv me Francën dhe të dielën e kaluar shënoi penalltinë vendimtare në ndeshjen e dytë çerekfinale të Nations League, duke i dhënë fitoren 5-4 kundër Kroacisë.
(Kosova Sot Online)