
PSG përmbys Aston Villan dhe fiton ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve

Paris Saint-Germain ka bërë një hap të rëndësishëm drejt gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve pas një fitoreje 3-1 ndaj Aston Villas në ndeshjen e parë çerekfinale, e zhvilluar në “Parc des Princes”.
Megjithëse ishin anglezët që befasuan të parët, duke kaluar në epërsi në minutën e 35-të me një gol të bukur nga Morgan Rodgers, reagimi i francezëve nuk vonoi. Vetëm katër minuta më vonë, në minutën e 39-të, mesfushori i talentuar Doue barazoi shifrat në 1-1, duke rikthyer qetësinë në radhët e PSG-së përpara pushimit të pjesës së parë.
Pjesa e dytë nisi me ritëm të lartë nga vendasit dhe u shpërblyen menjëherë. Në minutën e 49-të, sulmuesi gjeorgjian Khvicha Kvaratskhelia realizoi një gol të bukur për të përmbysur rezultatin në favor të parisienëve.
Kur dukej se ndeshja do të mbyllej me rezultatin 2-1, në kohën shtesë, Nuno Mendes vulosi fitoren me një gol në minutën e 90+2’, duke e çuar rezultatin përfundimtar në 3-1.
Me këtë përmbysje dhe fitore të pastër në shtëpi, PSG krijon një epërsi të ndjeshme përpara ndeshjes së kthimit në Angli.
Aston Villa, nga ana tjetër, do të duhet të bëjë një paraqitje të jashtëzakonshme në “Villa Park” për të përmbysur fatin e kësaj sfide dhe për të mbajtur gjallë ëndrrën evropiane.
(Kosova Sot Online)