Ancelotti tregon se si mund të rikthehet Reali i madh

  • A.P /
  • 17 April 2025 - 11:45
Ancelotti tregon se si mund të rikthehet Reali i madh

Carlo Ancelotti nuk dëshiron të flasë për të ardhmen e tij.

Trajneri italian foli mbrëmë pas eliminimit nga Liga e Kampionëve, ku Real Madridi i dha fund eksperiencës për këtë vit pasi u mposht nga Arsenali në dy ndeshjet çerekfinale, 0:3 e 1:2.

“Don Carlo” ia uroi fitoren dhe kualifikimin ekipit kundërshtar, ndërsa shton se tash “Los Blancos” do të duhet të dinë të reagojnë për ta mbyllur sezonin sa më mirë të jetë e mundshme.

“Duhet të jemi të sinqertë, në të dyja ndeshjet Arsenali e meritoi të fitonte dhe kështu e arriti gjysmëfinalen”, deklaroi fillimisht Ancelotti.

“Futbolli i ka dy anë: atë të lumtur, e cila na ka ndodhur shumë herë, dhe atë të trishtueshme, të cilën duhet ta menaxhojmë në të njëjtën mënyrë. Na ka ndodhur më rrallë në krahasim me skuadrat tjera, duhet ta menaxhojmë sepse kjo na mundëson që të bëjmë më mirë në ndeshjet e ardhshme”, shtoi ai.

“Tash jemi duke ‘luftuar’ për titull. Jemi prapa, por e kemi ndeshjen kundër Barcelonës, finalen e Copa del Rey dhe Botërorin e Klubeve. Duhet ta menaxhojmë këtë aspekt, i cili është një aspekt tjetër i futbollit në të cilin nuk jemi ambientuar, por ekziston. Tash duhet ta mbajmë kokën lartë dhe të mësojmë nga gabimet tona”, përfundoi Ancelotti. 

(Kosova Sot Online)