Presidenti i klubit rumun që ofendoi Shkëndijën dhe Dritën ka origjinë nga Shqipëria

  • A.P /
  • 31 July 2025 - 13:38
Presidenti i klubit rumun që ofendoi Shkëndijën dhe Dritën ka origjinë nga Shqipëria

Pronari i klubit rumun, FCSB, Gigi Becali, i cili bëri bujë me deklarata poshtëruese për dy klubet shqiptare, Shkëndijën dhe Dritën, thuhet se ka origjinë nga Shqipëria.

Kështu të paktën thonë disa artikuj të mediave rumune në arkivën e internetit, të cilat i ka shfletuar media.

Duke qenë një biznesmen me pasuri mbi 1 miliard euro, politikan, dhe një figurë tejet e njohur në Rumani, Becali shpesh ka tërhequr vëmendjen e mediave rumune, të cilat edhe e kishin “skanuar” në detaje profilin dhe të kaluarën jo vetëm të Becalit, por edhe të familjes së tij.

Në shumë artikuj të tillë, thuhet që Becali ka origjinë nga Ballkani, më konkretisht nga Shqipëria. Ato shkruanin se paraardhësit e Becalit ishin arumunë, ndërsa gjyshi i tij – emrin e të cilit e ka trashëguar Gheorghe (Gigi) Becali – kishte migruar nga rajoni i Korçës në vitin 1928.

“Si mbërriti familja e Gigi Becalit nga Shqipëria në Rumani”, ky është vetëm njëri prej titujve në arkivin e mediave rumune në internet, përkatësisht e gazetës, “Adevarul.ro”.

Edhe gazeta rumune, Prosport dy vite më herët shkruante se familja e Gigi Becalit ka origjinë nga Shqipëria.

“Fakti që Gigi Becali vjen nga një familje arumune, me origjinë nga Shqipëria, është një gjë e njohur në nivelin e shtypit rumun”, shkruhej ndër tjera në këtë gazetë.

Kishte edhe artikuj të atillë që thonin se Gigi Becali pak më moti ka ndërtuar edhe kishë në një fshat të rajonit të Korçës, në shenjë respekti për origjinën e paraardhësve të tij, por këtë nuk ka arritur ta vërtetojë Gazeta Express.

Gigi Becali është president i FCSB, një biznesmen shumë i njohur në Rumani dhe thuhet se pasuria e tij shkon mbi 1 miliard euro.

Në Rumani ka karrierë edhe politike dhe është një personalitet tejet i njohur atje. Shpeshherë di të jetë edhe kontravers.

Klubi i tij u eliminua dje nga kualifikimet e Ligës së Kampionëve nga Shkëndija e Tetovës dhe pas ndeshjes, Becali tha: Shkëndija është ekip i Divizionit C. Duhej t’i mundnim 3, 4, 5 me zero!

Tash, FCSB do të luajë në kualifikimet e Ligës së Europës, ku do të përballet me kampionen e Kosovës, Dritën.

E edhe për këtë, Becali e pati një koment mbrëmë: Nëse na eliminon edhe Kosova, atëherë le ta lëmë krejt futbollin!”

(Kosova Sot Online)