
Mourinho nderon ish-lojtarin e tij te Porto i cili vdiq

Jose Mourinho ka bërë një homazh emocional për Jorge Costan pas lajmit tragjik të vdekjes së tij.
Costa, legjendë e Portos dhe ish-lojtar i Charlton, ndërroi jetë në moshën 53-vjeçare në Portugali si pasojë e një arreti kardiak të martën.
Ai u ndje i sëmurë në mëngjes dhe u dërgua me urgjencë në spitalin Sao Joao në gjendje të rëndë, por mjekët nuk arritën ta shpëtonin.
Mbrojtësi i njohur me nofkat “Tanque” (Tanki) dhe “Bicho” (kafshë) për stilin e tij agresiv në mbrojtje, ishte kapiteni i skuadrës së Mourinhos te Porto që fitoi Ligën e Kampionëve në vitin 2004.
Mourinho, tani trajner i Fenerbahçe-s, foli për ish-lojtarin e tij në një konferencë për shtyp para ndeshjes kundër Feyenoord në kualifikimet e Champions League.
62-vjeçari u duk i prekur emocionalisht, duke fshirë lotët ndërsa nderonte kapitenin e tij të ndjerë.
Me zë të dridhur, Mourinho tha: “Është pjesë e historisë sime që po largohet.”
Kur iu kujtua një intervistë e vitit 2022 ku kishte thënë se nuk është çështje shirit kapiteni por lidershipi, ai shtoi:
“Nuk është gjithmonë fjala për shiritin, por për atë që përfaqëson. Jorge ishte një nga ata djem që pastronte ‘mbeturinat’ dhe i lejonte trajnerit të bënte punën e tij. Kjo është përsosmëri për një trajner kur kapiteni e bën këtë punë. Jam shumë i trishtuar, është pjesë e historisë sime që po largohet.
Por le të harrojmë futbollin dhe të përqendrohemi te ai, te Jorge, te fëmijët e tij, që i kam njohur që kur ishin shumë të vegjël. Dhe jam këtu tani sepse nëse ai do mund të fliste me mua, do më thoshte: ‘Shko, bëj konferencën. Nesër luaj ndeshjen, fitoje ndeshjen dhe harro për mua.’ Kështu që do përpiqem të bëj punën time sot dhe nesër, pastaj të qaj pas kësaj. E di që Jorge do më thoshte ta bëja punën time.”
Mourinho kujtoi edhe një moment nga koha kur ishin bashkë: kur skuadra ishte duke humbur në pjesën e parë, Costa kishte marrë përsipër të ‘bënte punën e pistë’ duke kritikuar ekipin, për të shmangur zemërimin e Mourinhos.
Pas pak minutash, Costa i kishte thënë “Trajner, tani mund të hysh” dhe Porto fitoi 3-2, me dy gola të shënuar nga vetë Costa.
Gjatë 15 viteve te Porto, Costa fitoi tetë tituj kampion, Kupën UEFA, Kupën Ndërkontinentale, pesë Kupa të Portugalisë dhe tetë Superkupa. Ai luajti 50 ndeshje me kombëtaren portugeze dhe fitoi Topin e Artë Portugez në vitin 2000.
Pas një karriere të dekoruar si lojtar, Costa kaloi në trajnerizëm në vitin 2006, duke pasur një karrierë të pasur në disa shtete si Portugali, Tunizi, Indi, Rumani dhe Francë. Në vitin 2024 u kthye te Porto si drejtor sportiv.
Lajmi për vdekjen e tij ka sjellë dhimbje të madhe në botën e futbollit. Ish-klubet e tij Porto, Braga, Charlton dhe rivali Sporting Lisbon kanë bërë homazhe, ndërsa Cristiano Ronaldo publikoi një foto të mbrojtësit me shkrimin “Até sempre Jorge Costa” (Përgjithmonë Jorge Costa). Ish-ylli i kombëtares, Paulo Futre, shkroi:
“E pabesueshme. Lajm shkatërrues. Një ditë vërtet e trishtuar për futbollin portugez. Ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjen e Jorge Costas. Përgjithmonë, mik. U prehsh në paqe.”
(Kosova Sot Online)