Pedri: Në fushë ndihem si lojtar brazilian

  • A.P /
  • 09 August 2025 - 16:28
Pedri: Në fushë ndihem si lojtar brazilian

Pedri është ndër 30 të nominuarit për “Topin e Artë”, një nga çmimet më prestigjioze individuale në futboll. Në një intervistë për revistën franceze “L’Équipe”, mes tjerash ai thotë se sezoni i fundit në aspektin kolektiv ishte shumë i mirë, ndërsa në nivel personal arriti një nivel të lartë.

Pra, në garën për këtë çmim prestigjioz shpreson të pozicionohet më mirë sesa më 2021, kur u rendit i 24-ti. “Ne futbollistët jemi konkurrues dhe gjithmonë duam të përmirësohemi. ‘Topi i Artë’ shpesh jepet për sulmuesit, por fitorja e Rodrit tregon se mesfushorët duhet të vlerësohen më shumë, prandaj pse të mos ëndërroj ta fitoj ndonjëherë edhe unë”, u shpreh mesfushori spanjoll.

Pozicioni i Pedrit dhe fituesi i çmimit janë ende të panjohura, por ai ka folur mbi favoritë si Lamine Yamal dhe Ousmane Dembélé. Për Yamal tha se ka cilësi të mëdha në duelet një kundër një dhe luan për t’u argëtuar, ndërsa Dembélé është shumë i fuqishëm, përdor të dyja këmbët dhe ka realizuar shumë gola këtë vit, ndryshe nga më parë. Të dy kanë bërë një kampionat fantastik.

Pedri ndihet plot vetëbesim, pasi sezonin e kaluar punoi shumë dhe pati performancë të mirë, duke gjetur stabilitetin e dëshiruar. Trajneri Hansi Flick i ka besuar, çka është thelbësore për të dhënë maksimumin.

Gëzimi që ai ndjen transmetohet edhe në fushë. Spanjolli thotë se ndihet si një lojtar brazilian, që luan me buzëqeshje dhe kënaqësi. Sezonin e kaluar në Champions, Pedri e konsideron si të mirë, ndërsa tani ka pritshmëri të mëdha: “Është e qartë, duam të arrijmë finalen e Champions League”. Ai shtoi se kthimi në “Camp Nou” ka shumë rëndësi, i ka munguar shumë stadiumi katalanas, i cili është shtuar në kapacitet dhe rindërtuar.

Në intervistë u diskutua edhe finalja hipotetike e Champions-it ndaj PSG-së: “Do të kishte qenë një finale shumë e fortë. Ekipi që do të kishte posedimin e topit do të dominonte qartë, por meqë nuk ndodhi, nuk e dimë çfarë do të kishte ngjarë. Do të provojmë përsëri sezonin e ri”.

Ai përmendi edhe atmosferën e mirë në dhomën e zhveshjes, duke thënë se Lewandowski është serioz në stërvitje, ndërsa Lamine Yamal pëlqen të bëjë shaka me të. Pedri kujtoi edhe largimin e Leo Messit nga Barcelona, çka ishte tronditje për të, pasi atëherë po luante në Lojërat Olimpike dhe i dukej e vështirë ta pranonte si fakt: “Unë gjithmonë ia jepja topin Messit, sepse më tej e bënte punën më mirë se unë”.

Ai foli edhe për rivalin e përjetshëm, Real Madridin, dhe yjet e tij: “Real Madridi ka shumë lojtarë të shkëlqyer. Kur Mbappé ka topin dhe është në duel një me një, bëhet shumë e vështirë ta ndalosh. Bellingham është një lojtar i jashtëzakonshëm, që kombinon forcën fizike me teknikën, duke e bërë shumë të vështirë përballjen me të”.

Në fund, Pedri u pyet për krahasimin e mesfushës aktuale të Barcelonës me trion legjendare Xavi-Iniesta-Busquets: “Qartësisht që nuk jemi në nivelin e tyre ende. Shpresojmë një ditë të arrijmë aty, sepse gjithçka që dhanë për klubin dhe kombëtaren ishte e jashtëzakonshme. Ne përpiqemi të ngjajmë në disa aspekte, por na duhet ende shumë rrugë për të bërë”.

(Kosova Sot Online)