
Shqipëria do të luajë më 11 tetor një nga ndeshjet më të rëndësishme

Shqipëria do të luajë në datën 11 tetor një nga ndeshjet më të rëndësishme jo vetëm për kualifikueset e Botërorit, por gjithashtu edhe për historinë, duke ditur rivalitetin e kuqezinjve me Serbinë, historikun mes tyre dhe sigurisht, problemet politike që pavarësisht se në futboll nuk kanë vend, në tribunat e tifozerisë serbe kanë qenë gjithmonë prezentë, madje edhe atëherë kur asgjë nuk lidhej as me Shqipërinë dhe as me Kosovën.
11 TETOR 2025- Kjo ndeshje e shumëpritur, pritet të zhvillohet në datën 11 tetor në Beograd dhe numri 11, nuk vetëm data në të cilën luhet ndeshja, por lidhet edhe me shumë “11-a” të tjera.
11 VITE NGA DRONI- Në vitin 2014, Shqipëria luante një ndeshje të madhe në Serbi, teksa ëndrra për një vend në Europianin e Francës sapo kishte nisur.
Kuqezinjtë përballeshin jo vetëm me skuadrën serbe, por me terrorin serb, me tifozerinë e cila në çdo moment bënte thirrje për vdekjen e shqiptarëve, apo edhe me vendimet për të mos lejuar jo vetëm tifozët shqiptarë, por as flamurin kuqezi në stadium.
Gjithçka u duk se po shkonte mirë, kur në qiellin e Beogradit u shfaq flamuri “Autochthonous”, me autor Ballist Morinën, “incident” ky që jo vetëm që i solli Shqipërisë 3 pikët në tavolinë, por gjithashtu dënoi edhe Serbinë me zbritje pikësh, duke e bërë kualifikimin e kuqezinjve edhe më të lehtë.
11 PIKË NË SERBI- Kuqezinjtë kanë objektiv vendin e dytë në grup, pasi Anglia praktikisht e ka blinduar vendin e parë, duke treguar forcën ndaj çdo rivali.
Të gjithë në Kombëtare e dinë se pas hapit fals ndaj Letonisë, vendi i dytë mund të arrihet vetëm duke mundur Serbinë në Beograd, që duhet të shoqërohet patjetër me një fitore ndaj Andorrës e më pas, ndaj Anglisë mund të luajnë pa presionin e rezultatit.
Me një fitore në Serbi, kuqezinjtë do të arrinin në kuotën e 11 pikëve dhe me shumë gjasa, do të blindojnë vendin e dytë në grup.
11 PËRBALLJE MES DY SKUADRAVE- Dy skuadrat janë përballur në historinë e tyre 11 herë, nga të cilat 3 ndeshje kanë qenë mes Shqipërisë e Serbisë, e 8 të tjera kanë qenë mes Shqipërisë dhe Ish-Jugosllavisë, megjithatë fitorja e vetme e kuqezinjve ka qenë në 14 tetorin e vitit 2014, me rezultatin 0-3 në tavolinë, fitore kjo që e ndihmoi Shqipërinë të shkonte në Europianin e 2016 me 14 pikë.
11 LUANË NË FUSHË- Në datën 11 tetor, në fushë nuk duhet të jenë vetëm 11 futbollistë por 11 luanë, të cilët duhet të dinë vlerën e fitores, vlerën e 3 pikëshit e për më tepër, duhet të dinë vlerën e fanellës kuqezi dhe faktin se një fitore, i afron jashtëzakonisht shumë me Botërorin, pavarësisht se duhet të kalojnë edhe fazën e “Play Off”, shkruan PanoramaSport.
Nëse në fushë janë 11 luanë të cilët japin shpirtin deri në vërshëllimën e fundit, fitorja mund të arrihet pa vështirësi ashtu siç merrej ndaj Greqisë kampione të Europës, apo edhe ndaj Francës në miqësore e ndaj Portugalisë në kualifikueset e Europianit.
(Kosova Sot Online)