Ish-mbrojtësi i Barcelonës tërhiqet nga futbolli

  • A.P /
  • 16 September 2025 - 09:30
Ish-mbrojtësi i Barcelonës tërhiqet nga futbolli

Samuel Umtiti, ish-mbrojtësi i Barcelonës dhe një nga protagonistët e fitimit të Botërorit 2018 me Francën, ka vendosur të tërhiqet nga futbolli profesional në moshën 31-vjeçare.

Më së fundmi, Umtiti ishte i kontraktuar me klubin francez të Lille, por gjatë dy sezoneve të fundit luajti vetëm 13 ndeshje, pasi karrierën e tij e penguan dëmtime kronike të kërcit në gju.

 

“Pas një karriere intensive me ngritje dhe ulje, ka ardhur momenti të them lamtumirë,” shkroi ai në rrjetet sociale. “Kam dhënë gjithçka me pasion dhe nuk pendohen për asgjë.”

Umtiti, mbrojtës qendre me këmbën e majtë, numëron 31 paraqitje me Francën dhe luajti një rol kryesor në fitimin e Botërorit 2018, së bashku me Raphael Varane në mbrojtje. Ai shënoi gol-in e vetëm në gjysmëfinale ndaj Belgjikës dhe luajti në gjashtë ndeshje gjatë turneut.

Gjatë periudhës së tij në Barcelonë, Umtiti luajti 133 ndeshje dhe fitoi shtatë trofe të mëdhenj, përfshirë dy tituj të La Liga-s radhazi. Në sezonin 2017-18 ai filloi të ndiente dhimbje në gju, por vendosi të mos operohej dhe ndihmoi skuadrën katalanase të fitonte titullin spanjoll, përpara suksesit me Francën atë verë.

Pas Botërorit, karriera e tij u vështirësua nga dëmtimet dhe trajtimet e shumta, përfshirë edhe terapinë PRP (platelet-rich plasma). Ai kaloi sezonin 2022-23 me Lecce në Itali, me marrëveshje huazimi, dhe kontrata me Barcelonën u ndërpre në mënyrë të përbashkët në 2023, edhe pse i kishin mbetur tri vite.

Trajneri i Francës, Didier Deschamps, e përshkroi Umtiti-në si një mik të mirë dhe falënderoi për sakrificat e tij: “Nëse jemi kampionë bote, i takon edhe atij një falënderim, sepse pas Botërorit ka kaluar vite të vështira dhe nuk ka luajtur ashtu si dëshironte.”

Umtiti nisi karrierën në akademinë e Lyon-it, ku luajti 170 ndeshje, përpara se të bashkohej me Barcelonën në 2016, në moshën 22-vjeçare. Ai debutoi me Francën në çerekfinalen e Euro 2016 ndaj Islandës (5-2) dhe luajti edhe në dy ndeshjet e mbetura të turneut.

Ky vendim shënon përfundimin e një karriere të pasur me trofe dhe momente historike, ku Umtiti do të mbetet i kujtuar sidomos për rolin e tij në Botërorin 2018 dhe kontributin e madh për futbollin francez dhe atë katalanas.

(Kosova Sot Online)