
A rrezikon Sylvinho nëse Shqipëria nuk merr rezultat pozitiv me Serbinë?

Kombëtarja shqiptare do ta zhvillojë atë që po konsiderohet si një finale në muajin e ardhshëm.
Kuqezinjtë do të përballen me Serbinë në ndeshjen që është vendosur të luhet në Leskovc.
Kjo do të jetë hera e dytë që këto dy kombëtare do të ballafaqohen mes vete në eliminatoret e Botërorit 2026, ndërsa dueli i parë mes tyre në Tiranë përfundoi baras.
Tash, trupa e Sylvinhos ka nevojë më shumë se kurrë për një fitore në Serbi për ta “gozhduar” pozitën e dytë, e cila çon në “play-off” për kualifikim në garën që do të mbahet në vitin e ardhshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Kanada dhe në Meksikë.
Por, çka do të ndodhë nëse Kuqezinjtë nuk do të arrijnë të nxjerrin rezultat pozitiv në Serbi?
Për këtë përgjigje ka presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili e dha një intervistë në emisionin “Opinion” .
“Nëse ne do të kualifikohemi në Botëror, Sylvinho padyshim që do të jetë trajneri ynë në të ardhmen. Nëse nuk do të kualifikohemi në Botëror, kjo gjë diskutohet shumë”, u shpreh kreu i futbollit shqiptar.
(Kosova Sot Online)