
Trump paralajmëron zhvendosje të ndeshjeve të Kupës së Botës 2026

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka paralajmëruar se është i gatshëm të zhvendosë ndeshjet e Kupës së Botës 2026 nga çdo qytet amerikan që ai e konsideron të pasigurt. Turneu i madh do të bashkë-organizohet nga SHBA, Kanadaja dhe Meksika, me 78 nga 104 ndeshjet që do të luhen në tokën amerikane, përfshirë edhe finalen.
Në listën e 11 qyteteve pritëse në SHBA janë Atlanta, Bostoni, Dallasi, Houstoni, Kansas City, Los Angeles, Miami, New York/New Jersey, Philadelphia, San Francisco dhe Seattle. Pikërisht për këto tri të fundit – bastione demokrate – Trump u shpreh më i shqetësuar, duke i cilësuar potencialisht të pasigurta.
“Do të jetë e sigurt për Kupën e Botës. Por nëse mendoj se nuk është, ndeshjet do t’i zhvendosim në një qytet tjetër,” tha ai nga Zyra Ovale.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse presidenti amerikan ka autoritet të drejtpërdrejtë për të ndryshuar qytetet pritëse, pasi organizimin e ka në dorë FIFA. Një ndryshim i tillë do të sillte sfida të mëdha logjistike. Trump, megjithatë, gëzon marrëdhënie të afërta me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, dhe udhëheq taskforcën e posaçme për Kupën e Botës.
Trump ka vendosur luftën kundër krimit në qendër të politikës së tij dhe muajt e fundit ka angazhuar Gardën Kombëtare në disa qytete amerikane, përfshirë Washington DC dhe Los Angeles.
Kupa e Botës 2026 do të mbahet nga 11 qershori deri më 19 korrik, ndërsa shorti për fazën e grupeve është planifikuar më 5 dhjetor në Washington DC.
(Kosova Sot Online)