
Infantino dekorohet me 'Medalje nderi' nga presidentja Vjosa Osmani

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani e ka dekoruar sot me Medalje të Nderit presidentin e Federatës Ndërkombëtare të Futbollit – FIFA.
Italiani u nderua në vendin tonë në një ceremoni të organizuar në Prishtinë.
Pasi e mori këtë medalje, kreu i FIFA-s u shpreh se për të ky është një nder dhe privilegj, ndërsa pati fjalë të mëdha për Kosovën, për popullin e saj dhe për presidentin historik të FFK-së, Fadil Vokrri.
“Futbolli i bashkon popujt, e bashkon vendin dhe e bën pjesë të një lëvizjeje në Evropë, dhe i bën vajzat dhe djemtë të ëndërrojnë dhe shpresojnë në të ardhmen e tyre”, tha fillimisht Infantino.
“Është nder i madh dhe kënaqësi e madhe, emocion i madh e lumturi e madhe që të jem këtu në shtëpinë time, në Kosovë. Dhe ta pranoj këtë nder të madh, këtë medalje nga ju, presidentja e Republikës së Kosovës, mikesha ime, në emër të një vendi të mrekullueshëm si Kosova”, shtoi ai.
“Kosova sot dhe Prishtina sot është kryeqyteti i botës apo jo? I botës së futbollit… por siç e dimë të gjithë, futbolli është gjëja më e rëndësishme në botë, kështu që është kryeqyteti i botës”, vazhdoi Infantino.
“Do të doja t’ia dedikoj këtë medalje, këtë nder e mirënjohje Fadil Vokrrit. Dhe të gjithë popullit të Kosovës në Kosovë e jashtë saj”, përfundoi kreu i futbollit botëror.
Ndërkohë, presidentja Osmani tha se loja e futbollit e ka mbajtur gjallë shpirtin e shumë fëmijëve qysh prej kohës së luftës në Kosovë më 1999.
“Nën udhëheqjen tuaj, FIFA është bërë familje me shumë kombe. Kjo për Kosovën ka pasur rëndësi jetike. Ju u keni ndihmuar lojtarëve tanë që ta bartin flamurin tonë duke garuar me krenari në skenat ndërkombëtare”, ka thënë Osmani.
Presidenca e ka përshkruar Infantinon si “mik të vërtetë të futbollit” dhe “mik të vërtetë të Kosovës”.
(Kosova Sot Online)