Real Madrid nuk do të bëjë asnjë transferim gjatë afatit kalimtar të dimrit

  • A.P /
  • 18 October 2025 - 15:06
Real Madrid nuk do të bëjë asnjë transferim gjatë afatit kalimtar të dimrit

Real Madrid pothuajse me siguri nuk do të bëjë asnjë transferim gjatë afatit kalimtar të dimrit, por mund të ketë largime.

Ferland Mendy është një nga kandidatët për t’u larguar tani që është rikthyer plotësisht në formë, por më e mundshme është që të largohet një sulmues, duke pasur parasysh që Endrick Felipe dhe Gonzalo Garcia kanë pasur shumë pak minuta deri tani këtë sezon.

Gonzalo ka qenë zëvendësuesi i Kylian Mbappé që nga fillimi i kampionatit, dhe duke qenë se Real Madrid nuk ka në plan të ndahet me produktin e akademisë “La Fábrica” kur të hapet merkatoja, kjo e vë Endrickun në një pozitë të vështirë – veçanërisht duke pasur parasysh dëshirën e tij për të qenë pjesë e kombëtares së Brazilit në Kupën e Botës 2026.

Endrick nuk ka luajtur asnjë minutë që kur u kthye nga dëmtimi në shtator, dhe nëse kjo situatë vazhdon, ai do të ishte kandidati kryesor për t’u larguar në janar. Ai tashmë ka tërhequr interes nga klube si Marseille, dhe sipas L’Équipe (nëpërmjet GFFN), 19-vjeçari do të ishte i hapur për t’u bashkuar me gjigantin francez të Ligue 1.

Nuk është ende e qartë nëse Marseille, që ishin gjithashtu të interesuar për Endrickun gjatë verës, do të kërkojë huazim apo transferim të përhershëm, por në rastin e këtij të fundit, Real Madrid me siguri do të refuzonte menjëherë çdo ofertë. Një huazim deri në fund të sezonit do të ishte zgjidhje e përshtatshme për të gjitha palët, me kusht që sulmuesi brazilian të marrë minuta të rregullta në “Velodrome”.

Për momentin mbetet për t’u parë nëse Endrick do të largohet nga Real Madrid gjatë afatit dimëror. Ai ishte i qartë gjatë verës në dëshirën e tij për të qëndruar në klub, por tani që duket se është i treti në hierarkinë e sulmuesve, do të kishte më shumë kuptim që të shqyrtonte opsionet e tij në prag të janarit.

(Kosova Sot Online)