Edon Zhegrova po kalon në një fillim të vështirë te 'Zonja e Vjetër'

  • A.P /
  • 01 November 2025 - 15:30
Edon Zhegrova po kalon në një fillim të vështirë te 'Zonja e Vjetër'

Ylli i kombëtares së Kosovës, Edon Zhegrova kaloi me shumë bujë te Juventusi nga Lille, në ditën e fundit të afatit kalimtar të verës.

Ai u transferua në Torino nga Lille për një shumë afër 20 milionë eurosh (përfshirë edhe bonuset).

Ashtu siç pritej, Edon Zhegrova po kalon në një fillim të vështirë te “Zonja e Vjetër” – jo për shkak të aftësive të tij futbollistike – por për shkak të formës së tij fizike.

Deri në transferimin te Juventusi, Edon Zhegrova nuk e kishte luajtur asnjë minutë për tetë muaj.

Ylli kosovar ishte lënduar në ndeshjen Marseille 1-1 Lille, më 14 dhjetor 2024.

Filimisht, lëndimi nuk dukej serioz, mirëpo pas disa testimeve me radhë, u konfirmua lëndimi i tij më i rëndë, dhe kështu Zhegrova e humbiste sezonin.

Ai nuk luajti më deri më 16 shtator 2025, kur edhe debutoi me Juventusin.

Zhegrova u paraqit për katër minuta në barazimin 4-4 të Juventusit ndaj Dortmundit në Ligën e Kampionëve.

Më pas, ai nuk e nisi ndeshjen ndaj Veronas më 20 shtator, duke luajtur vetëm tetë minuta në atë takim.

Më së shumti minuta deri më tani me fanellën e Juventusit, Zhegrova pati në ndeshjen ndaj Atalantës, kur luajti 27 minuta më 27 shtator.

Në dy ndeshjet e radhës, ndaj Villarrealit dhe Milanit, Zhegrova mbeti në bankën rezervë, duke mos u futur fare në lojë.

E, pastaj erdhën dy ndeshjet me kombëtaren e Kosovës, me datat 10 dhe 13 tetor, ndaj Sllovenisë dhe Suedisë, respektivisht.

Zhegrova luajti për tre minuta ndaj Sllovenisë në Prishtinë. 20 minuta i pati në dispozicion ndaj Suedisë.

Në ndeshjen pasardhëse, me Juventusin, ndaj Comos, Zhegrova nuk ishte i ftuar fare shkaku i një lëndimi. Mirëpo, edhe pse u rikthye nga ai lëndim, prapë, sulmuesi kosovar nuk pati minuta në këmbët e tij në dy ndeshjet e ardhshme, ndaj Lazios e ndaj Udineses.

Deri te ndeshja me Lazion, në krye të pankinës te Juventusi ishte Igor Tudor, i cili kritikohej për mosfutjen e Zhegrovës në lojë, mirëpo një gjë të tillë s’e bëri as Massimo Brambilla, trajneri i përkohshëm i Juventusit për përballjen me Udinesen.

Madje, sipas mediumeve italiane, më konkretisht “Football Italia”, Zhegrova nuk pritet ta nisë nga fillimi as në ndeshjen ndaj Cremoneses sonte. Sipas tyre, trajneri i ri, Luciano Spalletti e preferon anësorin portugez, Francisco Conceicao para tij.

Mungesa e minutave në këmbët e “luanit dardan” do të jetë një sinjal i keq për kombëtaren e Kosovës, e cila po përgatitet për dy ndeshje të mëdha këtë muaj.

Zhegrova, megjithatë, pritet të jetë një nga emrat e ftuar nga selektori, Franco Foda për ndeshjet e nëntorit, që Kosova i zhvillon ndaj Sllovenisë dhe Zvicrës.

Kosova luan ndaj Sllovenisë si mysafire më 15 nëntor, teksa më 18 nëntor i bën konak Zvicrës në Prishtinë.

Këto ndeshje luhen në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror të vitit 2026 dhe këto janë përballjet përmbyllëse të këtij cikli kualifikues.

Kosova momentalisht është e dyta në Grupin B, me shtatë pikë të tubuara në katër takime. E para është Zvicra me dhjetë pikë. Në vendin e tretë është Sllovenia me tri pikë, teksa Suedia është e fundit me një pikë.


(Kosova Sot Online)