Shqipëria dhe Kosova drejt një përballjeje të mundshme

  • A.P /
  • 14 November 2025 - 11:30
Shqipëria dhe Kosova drejt një përballjeje të mundshme

Shqipëria ka arritur një moment historik në futbollin europian, duke u bërë skuadra e parë nga kontinenti që siguron matematikisht pjesëmarrjen në fazën “play-off” të Kupës së Botës 2026. Fitorja 1-0 ndaj Andorrës jo vetëm vulosi vendin e dytë në Grupin K, por i hapi rrugë kuqezinjve drejt sfidave të marsit që do të vendosin fatin e biletës së madhe për Botërorin.

Në pritje të renditjes së FIFA-s dhe shortit

Tashmë, vëmendja është zhvendosur te pozicionimi në vazo për shortin e play-off-it. Shqipëria ndodhet aktualisht në Vazon 2, por gjithçka varet nga renditja e ardhshme e FIFA-s dhe rezultatet e ndeshjeve të fundit kualifikuese.

Qëndrimi në Vazon 2 do t’i siguronte kombëtares avantazh të madh: zhvillimin e ndeshjes së parë të play-off-it në shtëpi, ndaj një rivali nga Vazo 3.

Ndryshimet e fundit në renditje – kryesisht kalimi i Islandës mbi Ukrainën – kanë prekur edhe pozicionimin e Shqipërisë, duke krijuar një panoramë të re të mundshme të vazove.

Rivalët që mund t’i dalin përpara Shqipërisë

Nëse situata aktuale mbetet e pandryshuar, kuqezinjtë mund të përballen në gjysmëfinale të play-off-it me një nga këto kombëtare:

Maqedonia e Veriut

Islanda

Bosnjë-Hercegovina

Kosova

Megjithatë, çdo gjë mbetet e hapur deri pas përfundimit të ndeshjeve të mbetura të kualifikimeve.

Vazot aktuale të play-off-it:

Vazo 1: Itali, Turqi, Poloni, Hungari
Vazo 2: Skoci, Çeki, Sllovaki, Shqipëri
Vazo 3: Maqedoni e Veriut, Islandë, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë
Vazo 4: Uells, Rumani, Suedi, Irlandë e Veriut.


(Kosova Sot Online)