Sllovaki – Kosovë vendoset qyteti dhe stadiumi ku do të luhet ndeshja

  • A.P /
  • 26 November 2025 - 13:15
Sllovaki – Kosovë vendoset qyteti dhe stadiumi ku do të luhet ndeshja

Kombëtarja e Kosovës do të luajë me Sllovakinë në gjysmëfinale të “play-off”-it të Botërorit 2026.

Sllovakët do të jenë vendës në ndeshjen që do të luhet më 26 mars nga ora 20:45.

Dhe, mediat sllovake kanë njoftuar sot se kjo ndeshje do të luhet në Stadiumin Kombëtar të Futbollit në kryeqytetin – Bratislavë.

“E shfrytëzuam kohën që kishim me përgjegjësi pas shortit të ‘play-off’. U morën në konsideratë stadiumet në Bratislavë, Trnava dhe Košice. I shqyrtuam të gjitha rrethanat, kushtet, mundësitë dhe kompleksitetet e përgatitjes së një ndeshjeje të tillë. Logjistika për mbërritjen dhe qëndrimin e të dy ekipeve, kapaciteti i stadiumit dhe mundësia e ndërhyrjes operative në rast të ndonjë ngjarjeje të paparashikuar, patën një ndikim të rëndësishëm. Në fund, vendosëm që ndeshjen me Kosovën ta luajmë në Bratislavë dhe ia përcollëm këtë informacion edhe UEFA-s”, tha sekretari i përgjithshëm i Federatës Sllovake të Futbollit, Peter Palenčík, për “futbalsfz.sk”.

Fituesi i këtij dueli në finale të “play-off”-it do të përballet me fituesin e sfidës tjetër gjysmëfinale, Turqi – Rumani.

(Kosova Sot Online)