Disa futbollistë të Real Madridit i dalin në mbrojtje Xabi Alonsos

  • A.P /
  • 11 December 2025 - 15:00
Disa futbollistë të Real Madridit i dalin në mbrojtje Xabi Alonsos

Real Madridi pësoi humbjen e katërt këtë sezon të mërkurën mbrëma, kësaj radhe nga Manchester City i Pep Guardiolës. Një rezultat që vetëm sa e rrit presionin mbi trajnerin Xabi Alonso, i cili tani ka dy humbje radhazi dhe vetëm dy fitore në tetë ndeshjet e fundit.

Megjithë situatën e vështirë dhe zërat e shumtë javëve të fundit se dhoma e zhveshjes nuk është plotësisht pas trajnerit, disa lojtarë të Real Madridit dolën publikisht në mbrojtje të Alonsos. Edhe pse Los Blancos nuk arritën rezultat ndaj Cityt, brenda ekipit është pranuar se intensiteti i kërkuar ishte i pranishëm.

Një nga lojtarët me më së paku minuta këtë sezon, Rodrygo Goes, u pa duke u përqafuar me trajnerin pas ndeshjes.

“Është një moment i vështirë për të, ashtu siç është edhe për ne. Gjërat nuk po shkojnë mirë dhe ai deshi të tregojë se jemi bashkë në këtë rrugëtim, bashkë me trajnerin. Ka shumë zëra, por dua ta them këtë: jemi të gjithë bashkë dhe ky unitet na duhet për të ecur përpara e për të arritur objektivat,” citohet të ketë thënë braziliani për Diario AS.

Ndërkohë, edhe Jude Bellingham – për të cilin raportimet në Angli thonë se ka pasur mospajtime me Alonson – doli hapur në mbështetje të teknikut bask.

“Trajneri është fantastik. Unë personalisht kam marrëdhënie shumë të mirë me të, dhe e di që edhe shumë shokë të skuadrës kanë të njëjtën gjë. Pas atyre barazimeve rresht, patëm disa diskutime të brendshme shumë të mira dhe menduam se e kishim kaluar atë periudhë, përveç dy ndeshjeve të fundit. Askush nuk dorëzohet, askush nuk ankohet.”

“Po mundohemi ende të gjejmë zgjidhje, të shohim çfarë mund të përmirësojmë pavarësisht asaj që thuhet jashtë. Dhoma e zhveshjes i ka të gjitha për të kthyer situatën. Ndoshta na duhet pak fat ose ndonjë diskutim i brendshëm shtesë.”

Edhe Thibaut Courtois – i njohur si mbështetës i metodave të Alonsos – doli përsëri publikisht në mbrojtje të trajnerit.

“Nuk e shohim ndeshjen me Cityn si një test për të. Ne duam të fitojmë sepse e dimë situatën ku jemi: kemi humbur shumë pikë në ligë, dhe edhe pse jemi mirë në Champions, nuk mund të lejojmë të bjerë forma. Por sot treguam se jemi pas trajnerit, se luajtëm mirë dhe dhamë 100%. Kjo u pa në fushë, të paktën unë kështu ndjeva. Dhamë gjithçka, bëmë një ndeshje të fortë, por thjesht nuk ishte e shkruar të merrnim pikë.”

Qendërmbrojtësi Raúl Asencio – i cili ka parë më pak minuta nën drejtimin e Alonsos – dha gjithashtu mesazhe pozitive.

“Jemi nën presion çdo ndeshje, por kjo është normale në Real Madrid. E dimë çfarë kërkohet, si kur gjërat shkojnë mirë ashtu edhe kur nuk shkojnë. Ajo që mund të them është se dhoma e zhveshjes e kupton mesazhin e Xabi Alonsos, se mbështetja ndaj tij është 100%, dhe atmosfera e përditshme në Valdebebas është shumë, shumë e mirë.”

“Por është e vërtetë se po jetojmë një situatë paksa të pazakontë për sezonet e Real Madridit. E vetmja gjë që mund të bëjmë si lojtarë është të ndryshojmë qëndrimin tonë – kjo është më e rëndësishmja. Aurelien e tha edhe ditën tjetër: qëndrimi është gjëja e parë që duhet ndryshuar. Dhe sot u pa një ndryshim.”

Para ndeshjes, Tchouameni kishte dalë në media duke marrë përgjegjësinë mbi vete dhe duke thënë qartë se janë lojtarët ata që duhet ta kthejnë situatën. Pas humbjes ndaj Cityt, Xabi Alonso u shpreh i qetë, duke theksuar se “nuk kishte asgjë për t’ua vërejtur lojtarëve”.

(Kosova Sot Online)