Muriqi shkëlqen në fitoren e Mallorcas ndaj Sevillas

  • A.P /
  • 03 February 2026 - 07:40
Muriqi shkëlqen në fitoren e Mallorcas ndaj Sevillas

Sulmuesi i kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi ka bërë një paraqitje të madhe në fitoren e Mallorcas sonte ndaj Sevillas.

Në ndeshjen e luajtur në kuadër të xhiros së 22-të në La Liga, Mallorca fitoi si vendase ndaj Sevillas, me shifrat prej 4-1.

Në dy gola të Mallorcas, kontribuues ishte edhe Vedat Muriqi.

Sulmuesi dardan fillimisht e hapi serinë e golave në ndeshje, duke shënuar në minutën e 26-të nga pika e bardhë e penalltisë, për 1-0.

Në fund të pjesës së parë, megjithatë Sevilla arriti të barazojë shifrat, përmes transferimit të ri, Neal Maupay.

Por, Mallorca e riktheu epërsinë në minutën e 53-të, kur Samu Costa shënoi për 2-1.

Vedat Muriqi doli përsëri në skenë në minutën e 74-të, kur bëri një goditje të bukur drejt portës së Sevillas, e cila u devijua nga Sergi Darder.

Goli iu numërua spanjollit, teksa për Muriqin mbeti vetëm asistim.

Deri në fund, Mallorca e shënoi edhe një gol. Atë e shënoi zëvendësuesi Pablo Torre, në minutën e 96-të të ndeshjes.

Me këtë fitore, Mallorca i ik zonës së rrezikshme të rënies, duke kaluar në pozitën e 15-të, me 24 pikë, aq sa ka edhe Sevilla një pozitë më lartë.

Në këtë sezon në La Liga, “Pirati dardan” ka shënuar 15 gola në La Liga, duke numëruar edhe një asistim.


(Kosova Sot Online)