Superkompjuteri e parashikon fituesin e Botërorit 2026
Botërori 2026 po afron dhe analizat e para statistikore kanë nisur t’i nxjerrin favoritët për trofeun më të rëndësishëm në futbollin botëror.
Sipas superkompjuterit “Opta”, kampionia aktuale e Evropës, Spanja, është Kombëtarja me më shumë gjasa për ta fituar Kupën e Botës 2026.
Modeli statistikor i kompanisë së njohur të analizave sportive ia jep “La Roja”-s rreth 16 për qind mundësi për ta ngritur trofeun në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë.
Pas Spanjës renditet Franca, e cila konsiderohet kërcënimi kryesor për ekipin e Luis de la Fuente, shkruan “Gazeta Express”.
“Les Bleus”, të udhëhequr nga kapiteni Kylian Mbappé, kanë 12.5 për qind shanse për t’u shpallur kampionë bote.
Në vendin e tretë pozicionohet Anglia me mbi 10 për qind të mundësive, ndërsa kampionia në fuqi, Argjentina, renditet e katërta sipas simulimeve të Optas.
E Portugalia e Cristiano Ronaldos e mbyll Top 5 të Kombëtareve me më shumë gjasa për të triumfuar, me 6.9 për qind të mundësive, kurse Brazili i Carlo Ancelottit është i gjashti me 6.8 për qind.
Opta i bazon parashikimet e saj në mijëra simulime kompjuterike, duke e marrë parasysh formën e skuadrave, rezultatet historike, renditjen botërore dhe performancat e fundit ndërkombëtare.
Spanja hyn në turne si kampione e Evropës dhe me një brez të artë lojtarësh, ku spikasin emra si Lamine Yamal, Pedri dhe Rodri.
Pikërisht kjo gjeneratë ka bërë që analistët dhe algoritmet ta konsiderojnë skuadrën iberike si kandidaten numër një për triumfin në Botërorin e vitit 2026.
Megjithatë, me Francën, Anglinë, Argjentinën dhe Brazilin në garë, rruga drejt trofeut pritet të jetë një nga më të fortat dhe më spektakolaret në historinë e Kupës së Botës.
Renditja e favoritëve sipas Optas
1. Spanja – 16.0%
2. Franca – 12.5%
3. Anglia – 10.7%
4. Argjentina – 10.1%
5. Portugalia – 6.9%
6. Brazili – 6.8%
(Kosova Sot Online)
