INTERVISTË ME KËNGËTAREN VJOLLCA BUQAJ: 'Mikesha të vërteta, janë ato që kam raporte të sinqerta'

  • 03 June 2018 - 12:31
INTERVISTË ME KËNGËTAREN VJOLLCA BUQAJ: 'Mikesha të vërteta, janë ato që kam raporte të sinqerta'

Vjollca Buqaj është këngëtare e njohur e muzikës popullore shqipe, e cila i ka qëndruar besnike këtij zhanri që nga fillimet e saj. Dikur Vjollca ishte anëtare në Ansamblin "Azem Bejta", ku hapat e parë të saj ishin me muzikë folklorike. Në vitin 2011, ajo merr pjesë në festivalin "Fest Nota e Artë', me këngën "Ta fala rininë", për të vazhduar pastaj edhe me publikimin e një sërë këngësh të suksesshme si:"Më tradhtove", "Pa ty", "Këndojmë për gra" në bashkëpunim me këngëtaren Violeta Kajtazin e shumë të tjera. Vjollca Buqaj ndër vite i ka kënduar dashurisë, heroizmit e gëzimeve familjare, një gjë që e karakterizon atë është ëmbëlsia që transmeton dhe bën të dashur për publikun.Në një intervistë, për "Kosova Sot", ajo rrëfen, shumë gjëra, të cilat mund t'i lexoni në vazhdim.

Image

"Kosova Sot":Sapo keni publikuar këngën më të re "Zanin me ta ni", kush janë autorët, dhe sa jeni ndarë e kënaqur ju me këtë finalizim?

Vjollca Buçaj: Kënga ,"Zanin me ta ni", është projekti më i ri që e kam lansuar, ka diku rreth dymbëdhjetë ditë dhe autor i kësaj kënge është Alban Furtuna. Unë jam ndarë e kënaqur, por fjalën e fundit gjithmonë e japin ata që na mbajnë, e që janë publiku.

"Kosova Sot":Rikthehemi në kohë, si ishin hapat e parë të Vjollcës në muzikën popullore?

Vjollca Buçaj: Hapat e parë të karrierës sime ishin me plot këngë, festivale, shpërblime dhe koncerte...

"Kosova Sot": Cilat janë tri këngët e tua, që kanë lënë gjurmë në muzikën shqipe?

Vjollca Buçaj: Këngët që lanë gjurmë, ka shumë, por ato që sot e kësaj dite këndohen dhe pëlqehen janë:"Vaji i nuses", "Lutje s'ka", dhe "Nuse, moj nuse".

"Kosova Sot":Si është një ditë nga përditshmëria e Vjollca Buqajt?

Vjollca Buçaj: Një përditshmëri e imja është rutinore me punë, me drekë me ndonjë kafe, me mikeshat e mia, dhe pushim me fëmijët e mi.

"Kosova Sot":Qyteti, apo vendi ku ju relakson dhe do ktheheshit me dëshirë?

Vjollca Buçaj: Një ndër qytetet e Kosovës që më pëlqen është Prizreni, ndërsa ai që kthehem me dëshirë është Prishtina, sepse këtu kalova fëmijërinë, shkollimin punën dhe aty e kam familjen time që më jep ngrohtësinë maksimale.

"Kosova Sot": Sa ke miqësi me kolege, dhe cilat për ty janë mikeshat e vërteta?

Vjollca Buçaj: Mendoj që pasuri e jetës është edhe miqësia ku kam mjaft prej tyre, dhe mikesha të vërteta janë ato që kam raporte të sinqerta.

"Kosova Sot":Cilat janë projektet muzikore që ke në plan t'i lansosh gjatë muajve në vijim?

Vjollca Buçaj:Pasi përfundova këngën e fundit, menjëherë do ta bëj një baladë, e cila uroj të mirëpritet nga publiku.

"Kosova Sot":Për fund, cili është mesazhi i Vjollcës për jetën?

Vjollca Buçaj: Mesazhi im është:Mbushni ditët e jetës me jetë, sepse jeta njëherë jetohet dhe ta bëjmë atë të lumtur.

 

Intervistoi:Armend Preteni

(Kosova Sot)