Akuza për Kanye West!

  • A.P /
  • 03 September 2021 - 15:37
Akuza për Kanye West!

Kanye West ka publikuar albumin e tij të ri me titull “Donda”.

Para disa ditësh është publikuar albumi i shumëpritur i Kanye West “Donda”.

Ky album ishte planifikuar për publikim që vitin e shkuar, pastaj u vonua të paktën tre herë të tjera. Projekti, i emëruar në nder të nënës së tij të ndjerë, përmban 26 këngë.

Së fundmi, reperi është përfshirë në një polemikë pasi akuzohet për vjedhjen e logos së albumit. Kanye nxorri në treg disa veshje të zeza për të promovuar muzikën e tij të re, njëra prej të cilave kishte një kryq brenda Yllit të Davidit.

“Një markë me bazë në Miami e quajtur Infinity G8ds, ka akuzuar themeluesin e “Yeezy” për vjedhjen e logos së tyre. Dizajni kryesor i markës përmban një kryq brenda Yllit të Davidit, pothuajse identik me atë të veshjes Donda”, sipas “The Daily Beast”.

Thuhet se para se të publikonte albumin, reperi kishte kontakte të drejtpërdrejta me markën.

Nga ana e markës pretendohet se atij i janë dërguar disa shembuj të punës së saj që t’i shikonte, duke treguar se reperi ishte shumë i vetëdijshëm për logon e tyre.

Ndërkohë Kanye akoma nuk ka reaguar në lidhje me këto akuza.

Albumi përmban një sërë yjesh të ftuar, duke përfshirë Jay-Z, The Weeknd, Travis Scott, Kid Cudi, Lil Yachty, Roddy Ricch, Pusha-T, Playboi Carti, Baby Keem, Westside Gunn, Jay Electronica, Sheek Louch, Jadakiss, Jhe Rooga.

(Kosova Sot Online)