Fjolla Morina deklarohet për herë të parë pas lirimit nga paraburgimi

  • E.K /
  • 29 September 2021 - 09:17
Fjolla Morina deklarohet për herë të parë pas lirimit nga paraburgimi

Javë më parë, këngëtarja e njohur shqiptare Fjolla Morina ka fituar lirinë pasi u mbajt në paraburgim për rreth 40 ditë.

Ajo u arrestua në korrik nga autoritetet në Kosovë, pas një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Interpoli.

Por Morina u la e lirë më datë 15 të këtij muaji, pasi Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda, hodhi poshtë kërkesën e Prokurorisë për ekstradim në Shqipëri, dhe kështu iu ndërpre masa e paraburgimit.

Megjithëse ka qëndruar thuajse në heshtje për gjatë gjithë këtyre ditëve, Fjolla më në fund bëri një reagim në rrjetet sociale lidhur me çështjen e arrestimit të saj.

Ajo publikoi mbrëmjen e së martës një fotografi në Faceboook me avokatin Fanol Krasniqi, i cili është mbrojtës i çështjes së saj, duke e falënderuar për punën e bërë.

“Faleminderit shteti im! Faleminderit avokat”, ka shkruar këngëtarja në mbishkrimin e fotografisë.

Fjolla përndryshe që nga lirimi i saj është shfaqur e distancuar nga burri Fisnik Syla dhe e ka hequr atë nga rrjetet sociale, me çka edhe ka ngritur dyshimet te fansat se mund t’i kenë dhënë fund jetës bashkëshortore.

(Kosova Sot Online)